E premtja erdhi me disa takime interesante në Supersport, që prodhuan edhe rezultate surprizë, ku natyrisht që tërhoqi vëmendjen fitorja e thellë 0-9 e Leicesterit në transfertën ndaj Southamptonit.
Vendasit mbetën me 10 futbollistë në minutën e 12’, kur ishin në disavantazh të një goli, pas kartonit të kuq ndaj Bertrand, por gjithsesi kjo nuk mund të shpjegojë atë shthurje totale.
Jamie Vardy shënoi 3 gola mbrëmjen e sotme, duke “u zënë me shokun e skuadrës” Ayoze Perez se cili do marrë topin në shtëpi, pasi edhe spanjolli arriti të çojë tre herë topin në rrjetë, ndërsa goleada u kompletua nga Tielemans, Chilwell dhe Maddison.
Në kampionatin italian, Verona pësoi humbjen e dytë radhazi, këtë herë në shtëpi me rezultatin minimal 0-1 ndaj Sassuolos. Miqtë shënuan golin e vetëm me anë të Filip Djuriçiç në fillim të pjesës së dytë, ndërsa përpjekjet e vendasve për të rikthyer baraspeshën, dështuan.
Titullarë në këtë takimi ishin edhe Amir Rrahmani e Marash Kumbulla, me mbrojtësin kuqezi që u zëvendësua në minutën e 82-të për çështje taktike, pasi trajneri Juriç preferoi të shtojë një sulmues në fushë, siç ishte Stepinski.
Në Spanjë Villareali triumfoi me rezultatin 4-1 ndaj Alavesit, ndërsa në Gjermani ishte Mainzi që mposhti me rezultatin 3-1 Kolnin, ndonëse e pa veten në disavantazh që në minutën e 12’. Në kampionatin francez, sulmuesi Ben Yadder i dha 3 pikët e radhës Monacos, në fitoren 0-1 në transfertë ndaj Nantes.