Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini javën e ardhshme, respektivisht të martën do të ketë takimin e saj të fundit, në formën e një darke pune, me krerët e Ballkanit Perëndimor.
Darka e punës do të mbahet në Bruksel, ndërsa në të janë ftuar udhëheqësit e të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, thonë burimet e Komisionit Evropian.
Zëdhënësja i KE-së, Maja Kocijançiq tha se kjo do të jetë e fundit në një seri takimesh joformale të përfaqësueses së lartë të BE-së me liderët rajonalë.
“Përfaqësuesja e lartë Mogherini do të shkëmbejë mendime me udhëheqësit mbi zhvillimet në rajon, do të diskutojë sfidat e përbashkëta dhe do të bëjë një përmbledhje të të gjithë asaj që është bërë gjatë mandatit të saj”, tha Kocijançiq.