Teksa në Tiranë po mbahet Samiti i Paqes për Evropën Juglindore, ndër të pranishmit, fjalën e mori edhe Albin Kurti, i cili u shpreh se në Tiranë ndihet njësoj si në Prishtinë.“Shqipëria është shtëpia ime. Këtu njerëzit bëhen bashkë dhe e bëjnë këtë për paqe. Bashkimi për paqe është kushti për paqe të qëndrueshme e cila më tutje mundëson të lulëzojnë popujt, shtetet dhe mbarë shoqëria njerëzore. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për ide që na udhëheqin, por edhe ide që na bëjnë bashkë. Ndër rreziqet më të mëdha është ndarja dhe përçarja”, deklaroi ai.
Më tej shtoi:
“Para 30 vjetëve ka rënë muri që na ndante në kohën e luftës së Ftohtë, që mori fund, mori ftohtësitë e ndryshme pa luftë e nganjëherë edhe me luftë kanë vazhduar se në vend të një muri të madh kemi shumë mure të vegjël që na ndajnë midis nesh e brenda nesh. Për t’i hequr këto mure të vogla që na ndajnë, është e domosdoshme të themi që kemi nevojë për paqe, se nuk ka alternativë të mirë ndaj paqes. Është e domosdoshme që për paqe ne t’i bëjmë aktive vlerat e përbashkëta, republika e Kosovës, e Shqipërisë, dhe vende të tjera në Ballkan duan të anëtarësohen në BE, në NATO, dhe pikërisht ky interes ynë i përbashkët duhet të bëhet sa më aktiv në rajon dhe më gjerë, në mënyrë që stabiliteti afatgjatë të jetë pasojë e drejtpërdrejt e zhvillimit të drejtësisë dhe demokracisë që duhet t’i ndërtojmë mes vendeve tona.”
Në përfundim të fjalimit të tij u shpreh:
“Në Kosovë nëse pyet pakicat , të gjithë duan vende pune, duan drejtësi që të mos ketë as të përjashtuar as të privilegjuar. Ne fituam zgjedhjet, tani VV ka shumë sfida për të plotësuar. Të gjithë bashkë për Paqen e shumëkërkuar. BE dhe Ballkani janë shumë të rëndësishëm për njëri tjetrin.”