Sonte ndërrohet ora, qytetarët preferojnë orën verore

Në tre pas mesnate, akrepat e orës do të kthehen mbrapa për një orë me çka edhe fillon llogaritja dimërore e kohës. Ndërkohë, në vitin 2021 duhet të hyjë në fuqi propozimi për shfuqizimin e detyrueshëm të ndërrimit të orës për një orë në vendet e Bashkimit Evropian. Propozimi ishte aprovuar nga Kuvendi Evropian, mirëpo çdo shtet anëtar i Bashkimit Evropian ka mundësi të zgjedh se a do të mbajë llogaritjen e kohës verore apo dimërore. Edhe për vendin tonë akoma nuk ka një vendim të prerë për ndryshimin e orës. Nga Qeveria thonë se në këtë rast legjislacioni ynë kombëtar duhet të harmonizohet me legjislacionin e BE-së që ka të bëj me ndryshimin e llogaritjes kohore si dhe të kryhen analiza ku do të përfshihen të gjithë faktorët si social ashtu edhe ekonomik.

Marketing

Nëse në këtë rast do të kishin vendosur qytetarët, shumë prej tyre janë pro llogaritjes së kohës verore.

“Të mbetet me llogaritjen dimërore, ashtu siç është edhe në vendet tjera”.

“Jemi përshtat me këtë kohë, nuk ka nevojë të bëhen eksperimente dhe të luhet me popullin. Ndihmon se në mëngjes më herët fillon puna dhe në mbrëmje poashtu me dritë kryhet puna dhe është më e përshtatshme”.

“Nuk duhet të ndërrohet, nji të mbetet është shumë më mirë. Cila orë duhet të mbetet? Kjo që është tani, e verës. Në punë shkojmë më herët, kthehemi me dritë”.

“Mendoj se nuk duhet të ndryshoj. Për shkaqe shëndetësore dhe tashmë shprehi të krijuara, nuk duhet të ndryshoj. Për aspektin ekonomik nuk e di mirëpo për aspektin shëndetësor aspak nuk është e përshtatshme”.

Ndryshimi i llogaritjes së orës për herë të parë ka filluar në vitin 1916 në shtetet e Evropës veriore, kurse sot praktikojnë 70 vende në Botë. Në Maqedoni llogaritja verore e kohës për herë të parë është vendosur më 27 mars të vitit 1983.

Ekspertët vlerësojnë se ndryshimi I orës mund të shkaktojë probleme afatgjata shëndetësore, veçanërisht në mesin e fëmijëve të vegjël dhe të moshuarve. Shumë studimet kanë treguar se ndryshimi i orës prish oraret e gjumit dhe mund të ndikojë në produktivitetin në punë.

Llogaritja dimërore e kohës vazhdon deri më fundjavën e fundit të muajit mars të vitit 2020.