Ideja për partneritet special me BE-në nxit debat në Maqedoni

Njohësit e çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut kanë qëndrime të ndryshme sa i përket ideve alternative, lidhur me një “partneritet special” ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian, në vend të anëtarësimit të plotë të tyre në bllokun evropian.

Marketing

Këto ide kanë dalë në opinion pas dështimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë që të marrin datën e nisjes së bisedimeve për anëtarësim në BE.

Jeton Shasivari, ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, për Radion Evropa e lirë thekson se për Maqedoninë e Veriut nuk guxon të ketë asnjë alternativë tjetër përveç anëtarësimit të plotë në BE dhe NATO. Në të kundërtën, shton ai, vendi mund të përfshihe në plane të padefinuara dhe të rrezikshme të forcave më të mëdha të rajonit.

“Çfarë do lloj iniciative, apo alternativë të llojit të një partneriteti tjetër si kompensim për integrimin në BE për tërë vendet e rajonit, ka gjasa serioze dhe reale që Maqedoninë e Veriut ta përfshijë në ndonjë qëllim ose në disa plane të padefinuar të fuqive të mëdha në këtë regjion, të cilat shumë mund ta dëmtojnë Maqedoninë e Veriut edhe si shtet po edhe si shoqëri. Kjo, veçanërisht kur kemi parasysh që iniciativat e tilla ose partneritet e tilla thjesht në esencë kanë një dozë të madhe të populizmit dhe në vete nuk kanë koncepte të qarta për të mirën e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”, thotë Shasivari.

Për dallim nga ai, Aleksandar Kërzhallovski, drejtor i Qendrës maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtare, vlerëson se nuk është ide e keqe që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin statusin e një lloj partneriteti special në vend të anëtarësimit të plotë në BE, duke theksuar se të paktën këto vende do të përfitonin diçka nga blloku.

Ai thekson se Maqedonia e Veriut duhet të pranojë ofertën që ia ofron Brukseli.

“Nëse faktori ndërkombëtar, veçanërisht Franca si shtet mbetet në qëndrimin se për një kohë të gjatë nuk do të ketë zgjerim të BE, atëherë kjo mbetet si alternativë. Është e kuptueshme se të gjitha forcat politike në Maqedoninë e Veriut, qartë kanë theksuar se mbeten në përcaktimin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian”.

“Por, nëse nuk ka alternativë tjetër, atëherë duhet të hapet debate edhe për një mundësi që mbase zyrtarisht ende askush nuk e ka theksuar, por për këtë opinion duhet të njoftohet drejtë”, thekson Kërzhallovski.

Ndërkaq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka theksuar se për të nuk është e pranueshme asnjë alternativë tjetër përpos anëtarësimit të plotë të shtetit në BE, duke hedhur poshtë njoftimet se Brukseli po përgatit një “zonë ekonomike evropiane” për vendet e Ballkanit pasi në samitin evropian, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, nuk arritën të marrin datën e bisedimeve për anëtarësim për shkak të kundërshtimit të Francës.

“Vendi ynë është në BE dhe nuk do të pranojmë asnjë ofertë tjetër. E gjithë bota flet për ne për atë që kemi bërë. Ne kemi përmbushur detyrimet tona dhe e kemi merituar hapjen e bisedimeve. Ne duam atë që meritojnë dhe asgjë tjetër. Nuk pranojmë asnjë alternativë tjerë, pakte, partneriteti, projekte ekonomike. Ne jemi për anëtarësim të plotë në BE”, ka deklaruar kryeministri Zaev.(rel)