Investim i ri i huaj në ZZhTI Shkup – Kompania turke Purpllast fillimisht do të investojë deri në 12 milion euro dhe të hap 300 vende të reja pune

Drejtori i Drejtorisë për Zonat zhvillimore teknologjike industriale, Aleksandar Mlladenovski dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë turke Purpllast Mehmet Shishmanoglu, sot në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nënshkruan një marrëveshje për qiramarrje afatgjatë të tokës ndërtimore në ZZhTI Shkup 2. Kompania Purpllast ka marrë me qira 26.266 metra katrorë në zonën Bunardzik, kurse fabrika që do të ndërtohet së shpejti është fabrika e tyre e parë jashtë Republikës së Turqisë.

Marketing

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Dr. Koço Angjushev, duke iu drejtuar ceremonisë, theksoi se industrializimi i Maqedonisë së Veriut vazhdon me një ritëm të fuqishëm, ndërsa sqaroi se në periudhën e kaluar kanë filluar të realizohen tridhjetë projekte investuese, disa prej të cilave tashmë kanë filluar punën, disa janë në fazën e ndërtimit, dhe një pjesë e tyre po përgatiten për ndërtimin e kapaciteteve prodhuese.

“Si rezultat i investimeve të reja të kompanive të huaja dhe vendore, janë realizuar 54,000 punësime të reja gjatë 2,5 viteve të fundit. Puna e sektorit real kontribuoi në rritjen e prodhimit industrial, në gusht 2019 në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar u rrit me 9.8%, ndërsa në periudhën janar-gusht krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018, rritja ishte rreth 5.5%. %. Ne e bazojmë ekonominë në rritjen e industrisë, bujqësisë, ndërtimtarisë dhe tregtisë dhe të gjithë këto sektorë po lulëzojnë. Kemi kënaqësinë që kompania Purpllast, në konkurrencë nga 5 vende, ka zgjedhur Republikën e Maqedonisë së Veriut si destinacionin e parë për një fabrikë jashtë Republikës së Turqisë, kurse në Qeveri do të ketë një partner serioz për rritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të fabrikës “, theksoi Zëvendëskryeministri Angjushev.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi theksoi se me nënshkrimin e marrëveshjes vazhdon trendi pozitiv i rritjes së investimeve në Maqedoninë e Veriut dhe se indikatorët pozitiv ekonomik janë rezultat i planit të Qeverisë për rritje ekonomike, me të cilin kompanive iu mundësohet mbështetje transparente, e parashikueshme dhe thelbësore për realizimin e investimeve.

“Plani për rritjen ekonomike nuk jep rezultate vetëm në aspektin e tërheqjes së investimeve të huaja, por edhe në aspekte të tjera. Të gjithë investitorët që operojnë aktualisht në Maqedoninë e Veriut aktualisht kanë furnizues që ndodhen jashtë shtetit. Por tani me masat e Planit të Rritjes Ekonomike vërtetohet se ne, me masat që u japim kompanive, i sjellim ata furnizues të investojnë në Maqedoninë e Veriut, gjegjësisht, ne sjellim investitorë të rinj të huaj në vendin tonë, të cilët do të jenë furnizues për investitorët e huaj ”. shtoi Ministri Bekteshi.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë Purpllast Mehmet Shishmanoglu tha se ky investim është i pari që realizohet në një vend të huaj dhe theksoi se ai është veçanërisht i kënaqur që nënshkrimi i kontratës bëhet në ditën kur shënohet Dita e Republikës, gjegjësisht 96 vjet nga themelimi i shtetit modern turk.

“Purpllast është kompani me 500 të punësuar në 4 fabrika në Republikën e Turqisë, e cila eksporton produktet e saj në 36 vende dhe bashkëpunon me kompani të njohura botërore si Mercedes, Volvo, Scania, BMW, Fiat dhe sigurisht Van Hall. Ne planifikojmë një investim fillestar prej 5 milion euro, me hapjen e 100 vende pune të reja, ndërsa investimi total, i cili do të zhvillohet në disa faza, pritet të arrijë në 12 milion euro dhe rreth 300 vende pune të reja. Fabrika që do të ndërtojmë në Maqedoninë e Veriut do të jetë një qendër kryesore logjistike për Evropën, “tha Shishmanoglu dhe shtoi se ai pret që hapja e fabrikës të përputhet me 40 vjetorin e kompanisë dhe do të zhvillohet në vitin 2020.

Drejtori i Drejtorisë për Zonat zhvillimore teknologjike industriale, Aleksandar Mlladenovski theksoi se kontaktet fillestare me kompaninë Purpllast janë vendosur vetëm dy muaj më parë, dhe nënvizoi se bëhet fjalë për një kompani me përvojë 40 vjeçare në prodhimin e komponentave plastike për industrinë automobilistike.

“Kompania punon në industrinë automobilistike kurse produktet e saj i eksporton në 36 vende të botës. Në kapacitetin industrial të ZZhTI Shkup 2, investitori do të prodhojë maska plastike dhe komponenta tjera plastike për kompaninë Van Hall dhe shumë kompani të tjera që prodhojnë autobusë dhe kompani”, tha drejtori Mladenovski.