Italia gjithnjë do të jetë përkrah Maqedonisë së Veriut, e mbështesim vendin, mbështesim vendim për fillimin e negociatave, deklaroi sot kryeministri italian Xhuzepe Konte në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit me kryeministrin Zoran Zaev në Romë.
“Dëshiroj që popullit tuaj t’i them se nuk do të lejojmë që të ndjehet i pasigurt. Bëhet fjalë për gabim historik të cilin duhet ta përmirësojmë”, tha Konte.
Ai theksoi se Maqedonia e Veriut e udhëhequr nga kryeministri Zaev është shembull për të gjitha vendet ballkanike, si shtet i cili me guxim i zgjidh çështjet e hapura, e gjatë kësaj e ka mbështetjen e madhe nga Italia.
“Falë këtij guximi Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtare në NATO. Për këtë lejuam që vendi të anëtarësohet në NATO. Për këtë Maqedonisë së Veriut duhet t’i lejohet që të ecë më tutje drejtë Evropës. Kjo nuk do të thotë hyrje e menjëhershme në BE, por 35 kapituj në negociatat”, tha Konte.
Siç kumtoi pres-shërbimi qeveritar në takimin e Zaevit me Konten ishte diskutuar për marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimit mes të dyja vendeve, si dhe për riafirmim të perspektivës evropiane dhe Evropës si shtëpi e përbashkët e të dyja vendeve.
Kryeministri Zoran Zaev, paraprakisht, përmes një postimi në profilin e tij në Fejsbuk e falënderoi kolegun e tij italian Xhuzepe Konte për ftesën që ta vizitojë Italinë.
“E falënderoj kryeministrin italian Konte për ftesën për vizitën time të punës në Romë dhe për pritjen e ngrohtë sot pasdite në Qeverinë e Italisë në Palazzo Chigi. I kultivojmë dhe zhvillojmë marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin mes vendeve tona dhe qytetarët tanë duke konfirmuar se Evropa është shtëpia jonë e përbashkët”, bëri të ditur Zaevi.
Kryeministri Zaev pas takimit me Konten në Romë, sot pasdite do të shkojë për Bruksel ku do të marrë pjesë në darkën lamtumire të punës së përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë Federika Mogerini me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.