Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor në Kosovë, Valdete Daka, ka theksuar se certifikimi i zgjedhjeve të 6 tetorit, mund të zgjasë deri në dhjetor.
Daka tha për RTK-në se kjo vonesë mund të ndodhë, për shkak të ankesave të subjekteve politike dhe të kandidatëve.
“Nuk mund të bëj parashikime, nuk mund të them fundi i nëntorit apo fillimi i dhjetorit. Nëse ka ankesa mund të shkojë prapë në rinumërim. Mund të them që kjo forma e ankesave duhet të rregullohet si në vendet tjera sepse me të vërtetë kjo stërzgjatje është maltretim”, ka thënë ajo.
Daka ka theksuar, po ashtu, se mund të ketë edhe rinumërim të përgjithshëm të votave, pasi ka ankesa nga partitë politike dhe kandidatët për deputetë. Sakaq, Gjykata Supreme ka miratuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për numërimin e 4,639 fletëvotimeve të votuesve jashtë Kosovës, në zgjedhjet e 6 tetorit. Me këtë vendim, u anulua ai i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i cili e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e LVV-së për numërim.