Në gjykimin ndaj Kompanisë “Durmo Turs”, si përgjegjëse e aksidentit tragjik në fshatin Llaskarcë, ku humbën jetën 16 persona, u dëgjuan dëshmitarë që i kanë mbijetuar asaj tragjedie. Ata thonë se mbajnë mend që autobusi i nisur nga stacioni i autobusëve në Shkup disa herë është ndalur gjatë rrugës për të marrë udhëtarë, ndërsa pas pikëpagesës në fshatin Gllumovë kanë vërejtur se autobusi po merr anën e majtë të rrugës, duke mos dhënë shenja të frenimit. Në pyetjen nga Prokuroria, Lulzim Dalipi, i cili ka 12 brirë të thyer nga aksidenti, tha se shoferi ka përdorur disa herë atë natë telefonin, por në momentet që autobusi kalonte në anën tjetër të autostradës, shoferi e ka mbajtur siç duhet timonin.
“Për fat të keq në atë moment tragjik përnjëherë autobusi ktheu në anën e majtë dhe në atë moment i hapa sytë dhe pashë shoferin çka është duke bërë, në ato momente shoferi veç ishte drejtuar nga ana e majtë dhe atëherë e pashë duke e thyer mbulesën anësore, filloi edhe të dytën nga e majta e autostradës Tetovë-Shkup dhe vazhdoi në mbrojtësen anësore të tretë dhe përfunduam në humnerë. Për fat të keq, shenja apo gjurmë të frenimit nuk ndjeva. Nuk e di, fajtorët kryesorë do t’i vërtetojë ekspertiza ligjore, gjykata me siguri do të marrë vendim që do ta zbulojë edhe fajtorin, mirëpo siç e ceka edhe më lartë, qëndrimi i shoferit ishte se nuk pashë ndonjë reagim që të mund ta evitojmë atë aksident”,- theksoi dëshmitari, Lulzim Dalipi.
Në tragjedinë e 13 shkurtit, ku humbën jetën 16 persona, të akuzuar janë gjithsej 6 persona, në mesin e të cilëve pronari i Kompanisë, “Durmo Turs”, Durmish Beluli, përgjegjësi i kompanisë, Remzi Miftari, dhe shoferi i autobusit, Manoil Trifunovski.