Interneti mbushi 50 vjeç

Këtë vit kaluam një çast të shënuar historik: 3.9 miliardë. Për herë të parë, më shumë se gjysma e njerëzimit ishte e lidhur me rrjetin më të madh të shpërndarjes së informacionit që bota ka parë ndonjëherë: Internetin. Në vetëm 50 vjet, pasi kemi i kemi bërë kompjuterat të flasin me njëri-tjetrin, shumë prej nesh nuk mund ta imagjinojnë më jetën pa rrjetin World Wide Web dhe shërbimet që marrin aty: email, shkëmbim të dhënash, mesazhe etj. Ne e përdorim atë për të komunikuar, për të mësuar, për të bërë blerje, për të zgjeruar horizontet tona dhe për të kënaqur tekat tona, për të bërë miq dhe madje edhe për të gjetur të dashur. Por interneti është edhe një hapësirë e egër. Zotëruar nga askush, praktikisht i pa qeverisur, lumi i informacionit dhe lidhjes për të gjithë vjen me një anë të errët të madhe: keqinformim, terrorizëm dhe mashtrime drastike ekonomike. Ndërsa feston gjysmëshekullin e vet, interneti është në udhëkryq dhe plot dilema.

Marketing

FILLOI! Ka që thonë se ka nisur me një…mesazh të dështuar (error message). Vonë në mbrëmjen e 29 tetorit 1969, studenti i programimit Charles Kline u përpoq të dërgonte një tekst nga një kompjuter në Universitetin e Kalifornisë, Los Angeles (UCLA), për në Institutin e Kërkimeve Stanford, më shumë se 500 kilometra larg, në bregdetin e Kalifornisë. “LOGIN”, supozohet të ketë qenë fjala. Kline kishte dërguar vetëm “LO”, ndërkohë që sistemi ra. Mesazhi i plotë u dërgua një orë më vonë. Mbërrin kështu rrjeti më i madh i komunikimeve në historinë njerëzore, kishte bërë debutimin e tij:
interneti. Sigurisht që askush nuk mund ta merrte me mend atë që do të ndodhte më vonë. “Ne e dinim që po krijonim një teknologji e re e të rëndësishme që do të mund të përdorej nga një segment i popullatës, por ne nuk e kishim idenë se sa e madhe dhe e rëndësishme qe ajo ngjarje,” tha më vonë Leonard Kleinrock, profesori i Kline. Pesëdhjetë vjet më pas, ne jemi ende vetëm në fillimin e mundësive dhe pasojave.
Rrjeti i Agjensive të Projekteve Kërkimore të Avancuara, ose ARPANET, i njohur si pararendësi i internetit, ishte një projekt akademik për lidhjen e kompjuterave me synim shkëmbimin e informacioneve. Financuar nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes, kompjuterat e UCLA dhe Stanfordit ishin dy anët e para të këtij rrjeti. Në Dhjetor 1969, ishin shtuar edhe dy skaje tjera: Universiteti i Kalifornisë, Santa Barbara dhe Universiteti i Utah në Salt Lake City. Në 1973, ARPANET njohu zgjerimin ndërkombëtar, duke u lidhur përmes satelitit me skaje tjera: Qendra Sizmike Norvegjeze në Kjeller afër Oslos dhe University College London. Sot, një shtyllë kurrizore kabllosh me fibër optike nën det dhe tokë, e plotësuar me lidhjet satelitore dhe përcuesit prej bakri të linjave telefonike, sigurojnë një mbulim global gati- të plotë.

Interneti modern me të gjithë specifikat e tij i ka rrënjët në këto fillime të vogla. E rëndësishme ishte se nuk pati asnjë kontroll të centralizuar. ARPANET ishte shpërndarësi i “në rrjet”. Informacion, i zbërthyer në qindra ose mijëra pako të vogla, udhëtonte nga skaji në skaj përmes ose në këto rrjete. Nëse një nyje ishte e fikur (offline), informacioni gjente një tjetër rrugë, secila “pako” ndiqte një trajektore në drejt një skaji tjetër. Ky koncept, i njohur si shkëmbimi i paketave, ishte zhvilluar që në fillim të viteve 1960 nga tre grupe të pavarura studiuesish në Britaninë e Madhe dhe SHBA, përfshirë edhe ekipin e Kleinrock. “Kjo e bëri sistemin shumë elastik,” thotë Johnny Ryan, i kompanisë së teknologjisë Brave, autori i “Historia e Internetit dhe e ardhmja Dixhitale.” “Këto paketa kalonin verbërisht nëpër rrjet duke u përpjekur të gjenin rrugën më të shpejtë”.
Komunikimi i përbashkët kërkonte rregulla të përbashkëta. Kjo erdhi në formën e një pakete standartesh të njohura si TCP/IP-(Transmission Control Protocol and Internet Protocol) Protokolli i Kontrollit të Transmetimit dhe Protokolli i Internetit – publikuar së pari nga shkencëtarët e kompjuterave Vint Cerf dhe Bob Kahn në 1974. Aty u përfshinë, mes gjërash të tjera, formati standard paketave të të dhënave dhe një sistem i unifikuar adresash, në mënyrë që rrjetet të mund ta identifikonin njëri-tjetrin. Njëlloj si adresat IP që kanë të gjithë kompjuterat në rrjet sot. “Ky ishte një përparim i vërtetë,” thotë Wendy Hall, një shkencëtar kompjuterash në Universitetin e Southampton, në Britaninë e Madhe. I hapur dhe i lirë, TCP/IP i mundësonte çdokujt të vendosë një kompjuter në rrjet për të biseduar me çdo kompjuter tjetër. Më 1 Janar 1983, ARPANET miratoi standardin e “punës në internet”, dhe kështu lindi interneti modern.
Fillimisht, ishin të lidhur vetëm një grup i vogël akademikësh. “Ka qenë jashtëzakonisht i dobishëm për transferimin e të dhënave dhe komunikimin midis grupeve të shpërndara të shkencëtarëve,” thotë Grant Blank në Institutin e Internetit në Oxford të Mbretërisë së Bashkuar. Nuk kishte polici zyrtare, por njerëzit rrallë e keqpërdornin. Një Manual i MIT, shërbente si rregullore që mbulonte problemet etike të rrjetit, “Dërgimi i postës elektronike përmes ARPANET për përfitime tregtare apo me përmbajtje politike është antisociale dhe po ashtu antiligjore. Me dërgimin e mesazheve të tilla, ju mund të ofendoni shumë njerëz.”, thuhej në atë rregullore
ZGJERIMI. Punët shkonin vaj “gjithçka falas, qasje për të gjithë, dhe mirëbesim”, thotë Ryan – kjo ka qenë rruga që ka ndjekur interneti teksa është rritur. “Rrënjët e shumë problemeve që ekzistojnë sot
vijnë nga ajo periudhë,” thotë ndërkohë Black. Mungesa e sigurisë për shembull. “Në thelb, qëndronte mirëbesimi tek të tjerët,” thotë Black. Por përhapja e internetit për një publik të gjerë u shoqërua në vijim me dukuritë e mashtrimit dhe veprimtarive kriminale. Zgjerimi dhe shtimi i përdoruesve, rriti edhe anonimitetin neto, të identifikuar vetëm nga adresa e tyre IP, pati shumë përdorues që u inkurajuan për të përhapur informacione të rreme. Zgjerimi i aksesit u shoqërua edhe me zhvillime kryesore të softuerëve të internetit. Mbi to qëndronte World Wide Web. Një sistem adresimi dhe publikimi të protokolleve që lejonte dokumente të ndryshme të ishin publikisht të dukshëm edhe në kompjutera të tjerë. Web u krijua më 1989, nga Tim Berners-Lee, atëherë studiues në CERN pranë Gjenevës, Zvicër. Berners-Lee krijoi edhe shfletuesin e parë në 1990, dhe më 1991 uebi u vu në dispozicion të publikut. Edhe pse ne i përdorim fjalët “internet” dhe “Ueb” me të njëtin kuptim, ata në fakt nuk janë e njëjta gjë. “Interneti është një infrastrukturë mbi të cilën kalojnë aq shumë gjëra”, thotë Ryan. “Uebi është vetëm njëra prej tyre.” Të tjerat janë email-et, që ishin forca lëvizëse fillestare në bashkimin e njerëzve në internet, aplikacionet e mesazheve dhe shërbime për ndarjen e të dhënave. Të gjithë këto e kanë rritur praninë publike të internetit, ku shkojnë paralel shërbime të “shndritshme” dhe të “errëta”.

Pjesa tjetër është histori moderne. Përdorimi i uebit publik që nisi gjerësisht në mesin e viteve 1990 erdhi bashkë me nevojën për të organizuar informacionin e disponueshëm dhe për ta bërë atë lehtësisht të arritshëm. Zhvillimi i motorëve të kërkimit – veçanërisht modeli PageRank i Google, i cili përdor një algoritëm për të arritur rezultatin e kërkuar nga faqet më të njohura të internetit – e ndryshoi peisazhin në internet përgjithmonë, duke e kthyer rrjetin në gjigandin e nformacionit që është sot. Kjo, si dhe shpërthimi i mëvonshëm i mediave sociale, hapi rrugën për komercializim. Numri i madh i shikimeve fikse në faqe të tilla si Google dhe Facebook, dhe aftësia e paparë për të mbledhur të dhëna rreth pëlqimeve, preferencave dhe disponimeve të individëve, të cilat më pas u shiten reklamuesve, e kanë bërë internetin një minierë ari për shumë kompani. Vitin e fundit, reklamat dixhitale sollën mbi
85 përqind të të ardhurave prej 136.8 miliardë dollarë për kompaninë mëmë të Google, Alphabet.

Shtimi i interesave të fuqishme të biznesit shënoi një zhvendosje drejt decentralizimit të mëtejshëm, një mundësi ideale që ka interneti. Që në nisje fuqia e kontrollit ishte rrafshuar dhe nuk e njihte hierarkinë sociale, dhe kjo mundëson sot shanse komerciale dhe fitimprurëse në rrije të pafundme. Fitimi, që dikur konsiderohej antisocial, e ka kthyer internetin në një megaqendër tregtare. Kompanitë më të mira – Alfabet, Amazon, Facebook, Netflix – janë kthyer në ekonomi të mëdha të shkallës. “Tashmë rendja drejt fitimit përvec miliona kompanive që marrin një pjesë të vogël, ka krijuar edhe kaskadën e monopoleve”, thotë Ryan. Me këtë përqëndrim të fuqisë, infrastruktura e internetit ka filluar të bëhet e centralizuar gjithashtu. Kompani të tilla si Amazon, zotërojnë gjithnjë e më shumë informacion në rrjetet e tyre të serverave. Ky është drejtimi i ri që duket se po merr interneti teksa hyn në gjysëm e dytë të shekullit të tij. “Duhen rregulla, duhet zbatimi i rregullave, që mund ta kontrollojë këtë prirje centralizuese”, thotë Ryan. Interneti i këtyre 50 vjetëve ka qenë një histori e vullnetit të lirë në rritje, për mirë e për keq. Pyetja e madhe me të cilën ne përballemi tani është: Vërtet dikush mund dhe duhet ta marrë kontrollin – dhe nëse po, si duhet bërë kjo?.
RRJETI GLOBAL
Shtylla kurrizore e internetit janë një seri kabllosh nënujore me fibër optike që lidhin rrjetet kombëtare të komunikimit. Më së shumti në pronësi të ndërmarrjeve ose konsorciumeve të tyre, ndonjëherë edhe me përfshirje të qeverisë, ato përbëjnë autostradat ndërkontinentale përmes të cilave lëvizin paketat e të dhënave. Dendësia e këtyre lidhjeve nënujore përcakton gjerësinë e brezit të disponueshëm për flukset kryesore të të dhënave globale, shkruan bota.al. Kjo bandë është më e madhja midis SHBA dhe Kanadasë dhe Amerikës Latine, Evropës dhe Azisë si edhe midis Evropës dhe Lindjes së Mesme dhe Azisë. Afrika Nën-Sahariane shërbehet më rrallë – dhe ka përqindjen më të ulët të njerëzve të lidhur në internet krahasuar me pjesën tjetër të globit.

Kushdo që lidhet me internetin, zakonisht përmes një ofruesi të shërbimit të internetit, bëhet pjesë e rrjetit global. Rrjetet e vecanta në të gjithë globin komunikojnë me njëri-tjetrin duke përdorur një gjuhë të përbashkët, të njohur si TCP/IP, për të gjurmuar të dhënat nga pika në pikë. Që nga viti 1998, përgjegjësia për rregullimin bazë të internetit, përfshirë edhe caktimin e shpërndarjen e adresave IP, që lejon kompjuterët të lokalizojnë njëri-tjetrin, mbahet nga korporata jo-fitimprurëse e Internetit për Emrat dhe Numrat, ICANN, me qendër në Los Angeles. Fillimisht në varësi të qeverisë amerikane, që nga viti 2016 ajo mbikëqyret nga një komitet ndërkombëtar, duke bërë që interneti të mos jetë në pronësi të vërtetë nga askush.