Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi pasditen e sotme u takua me banorët e Çegranit të cilët kanë ngritur zërin kundër nisjes së punës në guroren afër fshatit të tyre. Banorët i shprehën shqetësimet e tyre dhe frikën nga pasojat qe mund të sjellë gurorja, si pluhurin dhe dridhjet nga shpërthimet, raporton TV21.
Ndërkaq Ministri Bekreshi u tha çegranasve se leja tashmë është dhënë dhe s’mund të anulohet, sepse koncesioneri mund të padisë shtetin dhe kështu dëmtohet buxheti i shtetit, megjithatë Bekteshi dha një zgjidhje. Ajo është që Komuna e Gostivarit në të ardhmen të mos japë leje për qarkullim dhe leje ekologjike të kategorisë B.
Nëse Komuna e bën këtë, Ministri premtoi se as ai s’do ta nënshkruajë lejen për punë që duhet t’i jepet investitorit.
Bekteshi po ashtu dha edhe një variant të dytë, që koncesioni të anulohet vetëm nëse Komuna e Gostivarit është e gatshme të paguaj dëmshpërblim.
Banorët dhe përfaqësuesit e nismës “Rezistenca” u shprehën të kënaqur nga kjo zgjidhje e mundshme.
Nga Komuna e Gostivarit thanë se Kryetari Arben Taravari është në një takim dhe për këtë çështje do të deklarohet nesër.