Zgjedhjet, Zaev: Përgjegjësia për shtetin,mbi të gjitha

Kryeministri Zoran Zaev vlerëson se 12 prilli si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme duhet të ruhet, por, siç thotë, lihet mundësia për çfarëdo ndryshimesh, para së gjithash për shkak të ratifikimit të Protokollit për pranimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

Marketing

“Duhet t’i respektojmë vendimet, të paktën ato të cilat si faktorë politik i sollëm me konsensus dhe 12 prillin duhet ta ruajmë. Gjithsesi, secilën herë përgjegjësia e shtetit është para së gjithash dhe mbi të gjitha. E lëmë të hapur mundësinë që të bëhen çfarëdo ndryshimesh, para së gjithash për shkak të ratifikimit për NATO-n”, deklaroi kryeministri Zaev.

Kreu i ekzekutivit theksoi se si shtet nuk do të lejojmë të mos kemi parlament pikërisht kur ne duhet ta ratifikojmë Protokollin me NATO-n.

“Të gjitha 29 vendet anëtare e kanë ratifikuar Protokollin dhe kur të vijë koha që Republika e Maqedonisë së Veriut ta ratifikojë nuk guxojmë të lejojmë të mos kemi parlament”, theksoi kryeministri.

Prandaj, siç shtoi, edhe kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi me siguri mban llogari edhe për çështjen e afateve ligjore.

“Kryetari i Kuvendit për fat të keq nuk ishte i ftuar tek presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski kur biseduam për këtë çështje dhe kur u sollën vendimet. Por, Kuvendi është organi më i lartë në shtet dhe trupi më i lartë demokratik i cili vendos në pajtim me kushtet ligjore nëse do të jenë 45 apo 60 ditë… Unë kam dëgjuar se kryetari i Kuvendit ka vendosur 60 ditë. Gjithsesi nëse është i tillë vendimi neve na mbetet ta përshëndesim vendimin dhe ta respektojmë deri në fund. Por, gjithsesi të gjithë duhet të mbajmë llogari që shteti të jetë funksional kur sillen vendime të tilla historike”, tha kryeministri Zaev.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi paralajmëroi se do ta shpërndajë dhomën ligjvënëse më 11 shkurt, gjegjësisht 60 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të caktuara për më 12 prill.

Sipas Xhaferit, nuk ekziston mundësi të konvokohet Kuvendi nëse paraqitet nevoja që të ratifikohet Protokolli për anëtarësim në NATO. Prandaj, siç deklaroi Xhaferi në takimin me gazetarët, duhet të pritet përbërja e re kuvendore.