Nuredini: Mobilizohen Ministritë resore dhe shërbimet e inspektimit për aksion të shpejtë të përbashkët kundër ndotjes së ajrit

“Seanca e sotme koordinative, e kryesuar nga zëvendëskryetari i Qeverisë dhe ministër i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, në koordinim me ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini dhe ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Trajan Dimkovski, u konvokua për shkak të gjendjes alarmante me ndotjen e ajrit.

Marketing

Duke falënderuar pjesëmarrësit për jehonën e madhe dhe gatishmërinë për bashkëpunim, ministri Nuredini në fjalimin e tij theksoi rëndësinë e zbatimit të aksioneve të koordinuara mirë dhe të përbashkëta, pasi ndotja e ajrit është një problem kompleks që kërkon qasje ndër-sektoriale. Përveç realizimit të masave afatgjata, sipas ministrit Nuredini, situata aktuale kërkon aksione urgjente të ndërhyrjes.

Disa nga masat e cekura nga Nuredini përfshijnë mobilizimin urgjent të të gjitha inspektorateve kompetente shtetërore dhe lokale për të siguruar mbulimin 24 orësh në terren, zbatimin e kontrolleve emergjente për korrektësinë dhe funksionimin e filtrave në objektet industriale, si dhe inspektimin e zbatimit të protokollit të kontrollit të pluhurit nga ndërtimi, sidomos në rrugët dhe ndërhyrjet e tjera të mëdha të infrastrukturës nga inspektorët e ndërtimit.

Ai theksoi se në mënyrë plotësuese do të intensifikohet bashkëpunimi me vetëqeverisjet lokale, shërbimet e inspektimit komunal dhe organizatat qytetare, veçanërisht në fushën e raportimit të ndotësve të mundshëm, sanksionimin e autorëve dhe gjetjen e zgjidhjeve të mundshme për tejkalimin e problemit.

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në kuadër të kompetencave të saj ka realizuar disa aktivitete, duke përfshirë mapimin e të gjitha kapaciteteve që ndodhen pranë stacioneve matëse të Sistemit të Monitorimit Shtetëror, duke zëvendësuar instrumentet me defekt në pesë stacione matëse, ndërsa deri në dhjetor të këtij viti do të zëvendësohen instrumentet matëse me defekt të grimcave PM 10 në stacionet matëse në Lisiçe, Veles, Kavadar dhe Gostivar.

Gjithashtu, kanë filluar aktivitetet për akreditimin e laboratorit të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe pritet që procesi të përfundojë në pjesën e parë të vitit të ardhshëm.” – zyra për informim, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.