Shtatë të dënuar me akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale gjatë dy viteve të fundit janë arratisur nga vendi dhe i kanë ikur vuajtjes së dënimit.
Mes tyre është edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, i cili iku pak orë para se të shkonte të vuante dënimin me burg prej më shumë se dy viteve për rastin “Tank”, që po hetohej nga Specialja, përcjellë INA.
Për ikjen e Gruevskit sot e kësaj dite askush nuk mban përgjegjësi, pasi që institucionet si ato hetimore, gjyqësore dhe të MPB-së i hedhin fajin njëra tjetrës. Së fundi është arratisur edhe Igor Spasov, pjesëtari i policisë i dënuar për vrasjen e të riut Martin Neshkovski.
Ai 14 muaj ishte duke u mbrojtur në liri me arsyetimin për shërim, ndërsa vitin e kaluar ishte parë në krah të Zaevit, gjatë vizitës së tij në burgun e Idrizovës.
Spasov së fundi u locua se po strehohet në Holandë. Mes të arratisurve janë edhe dy kokat e përgjimeve, ish-shefat e Shërbimit Sekret DSK, Nikolla Boshkovski dhe Goran Grujevski, që gjenden në Greqi, ku kanë statusin e azilit. Një nga të arratisurit e tjerë është edhe Nikolla Vojminovski, që është pjesë e grupit që sulmoi Ziadin Selën natën e 27 prillit 2017 në Kuvend.
Ai u arratis para se të vuaj dënimin për tentim vrasje. Në faqen zyrtare të MPB-së janë emrat e dhjetëra personave të tjerë që me vite e dekada kërkohen nga autoritetet e vendit.