Kryeministri Zoran Zaev pranon se i ka dalur huq masa e trumbetuar qeveritare për tatimin progresiv, që ishte premtuar para zgjedhjeve të 2016. Ai tha se është bërë gabim dhe se për një kohë të caktuar është pezulluar zbatimi i kësaj mase.
“Filluam dhe tani jemi në fund të vitit, dhe ja, pranojmë se nuk i dha rezultatet e duhura. Ky është vetëm një reflektim i qeverisjes së ndershme të cilën kjo Qeveri do vazhdojë ta praktikojë. Sepse ekzistojmë dhe punojmë për popullin gjithmonë është më e ndershme ta pranoni gabimin dhe të tërhiqeni një hap prapa, sesa të vazhdohet në diçka nga kapriçot dhe të tregoni se keni të drejtë në atë që e keni filluar si politikë”, theksoi Zaev. Tatimi progresiv filloi më 1 janar të vitit 2019. Çdokush që kishte pagë apo të ardhura mbi 1,500 euro në muaj obligohej që përveç tatimit personal prej 10% të paguaj edhe tatimin shtesë progresiv prej 18%.
Kjo bëri që shumë kompani sidomos ato të fushës së teknologjisë dhe sferave të tjera të gjejnë mënyra tjera për të paguar punonjësit e tyre. Ministrja e Financave, Nina Angellovska, dje kumtoi se tatimi progresiv pezullohet për 36 muajt e ardhshëm. Me aplikimin e tatimit progresiv, pagesa e tatimit personal shënon rritje prej 14%, rritje në të cilën rol kanë luajtur edhe 54 mijë vendet e reja të punës. Mbi këtë bazë në buxhet, thotë Zaev, kanë hyrë 1 miliardë e 850 milionë denarë, por kanë dalë 2 miliardë e 400 milion nga tatimi i të ardhurave. Kjo është si rezultat i transferimit të bizneseve në vendet fqinje.