Tenisti spanjoll Rafael Nadal u rikthye në fronin e këtij sporti dhe 33-vjeçari nga Mallorca filloi zyrtarisht mbretërimin për javën e 197 në karrierë si numri 1 i botës.
Kjo është hera e tetë për Rafën që ngjitet në catinë e botës në këtë sport, por sidoqoftë ishte dicka që u bë e sigurtë që në mesin e muajit tetor, më saktë pas eliminimit në Mastersin e Shangait të tenistit nga Serbia Novak Djokovic, që në Lindjen e Largët u mund në tre sete në fazën çerekfinale nga tenisti grek Stefanos Tsitsipas.
Nole dështoi për të mbrojtur 1000 pikët e edicionit të kaluar në Mastersin Kinez dhe në mënyrë të kuptueshme nga përllogaritjet e bëra u bë e ditur që tre javë më herët, rokada në krye të klasifikimit të përgjithshëm ATP, mes dy tenistëve më të mirë të sezonit.
Kurioz është fakti që tenisti iberik u rikthye në fronin e këtij sporti ekzaktësisht pas një viti, sepse për hir të së vërtetës 12 muaj më parë Rafa kompletoi pikërisht javën e tij të 196 dhe të fundit në krye të renditjes botërore.
Nadali u bë njëherësh edhe tenisti i dytë më i madh në moshë që mbretëron në këtë sport, që nga viti 1973, kur edhe zyrtarisht ky sport filloi të organizohet në mënyrën se si funksionon edhe në ditët e sotme. Rekordin dihet e mban Roger Federer, që gjatë vitit të kaluar mbretëroi në moshën 36,5 vjec.
Objektivi kryesor i 33-vjecarit nga Manacori tani mbetet mbajtja e këtij pozicioni. Në renditjen e re që u publikua në mesditë Rafa ka plot 640 pikë më tepër se sa Novak Djokovic, ndërkaq përsa i përket renditjes botërore përpara se të startojë turneu i 8 më të mirëve të vitit 2019, Stefanos Tsitsipas dhe Alexander Zverev këmbyen vendet, me 21-vjecarin nga Athina që u ngjit në pozicionin e 6, ndërsa nga një vend kanë përfituar Matteo Berrettini dhe Roberto Bautista-Agut, që tashmë pozicionohen respektivisht në vendet 8 dhe 9. Në dhjetëshen e parë të klasifikimit është rikthyer gjithashtu edhe francezi Gael Monfils, që fitoi 3 pozicione, ndërkaq 3 vende ka përfituar edhe belgu David Goffin që tani renditet i 11.
Me finalen në Paris-Bercy u përmirësua me plot 13 pozicione kanadezi Denis Shapovalov, që për herë të parë në karrierë preku vendin e 15, por krejt e kundërta ndodhi me rusin Karen Khachanov, që nga i 8 në rruzull rrëshqiti në pozicionin e 17. Ndër ngjitjet më të rëndësishme të javës vlerësohet gjithashtu edhe përmirësimi nga vendi i 27 në të 20 i bullgarit Grigorr Dimitrov, ndërkaq u rikthye në 30 më të mirët në planet edhe veterani francez Jo – Ëilfried Tsonga, që kërceu nga vendi i 35 në të 29. Në Londër në turneun përmbyllës ATP World Tour Finals Rafael Nadalit i mjafton thjesht kualifikimi për në finale, për të mbrojtur numrin 1 të botës, pozicion ku tensiti i famshëm spanjoll është ngjitur për herë të parë 11 vjet më parë, më saktë më 18 gushtin e vitit 2008.
Rafa e ka mbyllur vitin në fron në vitet 2008, 2010, 2013 e 2017, gjithsesi nëse ia del mbanë për ta ruajtur këtë status edhe pas turneut të tetë më të mirëve në kryeqytetin britanik, atëherë 33-vjecari nga Majorka do të bëhej automatikisht edhe tenisti më i madh në moshë që përfundon një vit kalendarik në krye të renditjes botërore. Rafa që e mbylli vitin 2018 përpara kohe për shkak të problemeve të shumta fizike, në këtë sezon ia doli të fitojë në Romë, Roland Garros, Montreal dhe US Open, për të grumbulluar 9.585 pikë gjithsej dhe plot 12.2 milionë dollarë gjatë vitit 2019. Nadal ishte tenisti i parë që prenotoi biletën për në Londër, pasi tenisti spanjoll e siguroi pjesëmarrjen për në ATP World Tour Finals që më 11 korrik.
Ky është viti i 15 radhazi që Rafa arrin të kualifikohet mes tetë tenistëve më të mirë të sezonit, aktivitet ku për hir të së vërtetës sportisti iberik numëron vetëm dy finale gjithsej, në vitet 2010 e 2013 ku është mundur respektivisht gjithsesi nga kundërshtarë si Roger Federer dhe Novak Djokovic. Turneu i 8 tenistëve më të mirë të 2019 do të mbahet për të 11 edicion rresht pikërisht në O2 Arena të Londrës, nga data 10-17 nëntor, gjithsesi është bërë ndarja paraprake e grupeve në prag të hedhjes së shortit dhe Nadali si numri 1 i turneut bën pjesë në Grupin Andre Agassi, ndërsa Novak Djokovic që mban numrin 2 të këtij kompeticioni është pozicionuar në Grupin Bjorn Borg. /SS/