Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut sot do të zhvillohet debati me temën “Ndryshimi i modelit zgjedhor nga gjashtë në një njësi zgjedhore si dhe me lista të hapura”. Kjo nismë për një njësi zgjedhore është nxitur nga 12 deputetë të Kuvendit.
Partitë më të mëdha politike në takimin e fundit të liderëve janë dakorduar që të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 12 prill 2020, por akoma mbetet çështja e hapur se këto zgjedhje do të zhvillohen sipas modelit të deritanishëm me 6 njësi zgjedhore apo do të ndryshohet kodi zgjedhor, për një njësi zgjedhore me lista të hapura. KSHZ ka theksuar se është e gatshëm të organizojë zgjedhe sipas cilido model që arrijnë marrëveshje partite politike.
Partitë opozitare dhe ato të vogla të pozitës kanë kërkuar ndryshimin e kodit zgjedhor dhe njësive zgjedhore, për të pasur shanse më të mëdha dhe të barabarta me partitë më të mëdha. Katër partitë më të mëdha në vend kanë qëndrime dhe propozime të ndryshme.
LSDM kërkon aplikimin e një njësie zgjedhore me lista të hapura, VMRO-DPMNE kërkon model shumice me 120 njësi, ASH për 8 njësi zgjedhore, ndërsa BDI përkrah modelin e tanishëm. Duke pasur parasysh këto qëndrime kontradiktore, analistët theksojnë se është vështirë që të ketë marrëveshje dhe ndryshim të modelit zgjedhor.