Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka vendosur sot dhënien e një mbështetjeje shtesë financiare për Këshillin Kombëtar në Serbi me qëllim blerjen e teksteve shkollore.
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj e ka cilësuar këtë vendim si një informacion shumë domethënës për Shqipërinë dhe shqiptarët.
“Edhe një informacion tepër i vyer e shumë domethënës për Shqipërinë dhe shqiptarët”, shprehet Cakaj.
Ai shton se “ky vendim i shërben nxënësve shqiptarë që ndjekin procesin mësimor në institucionet e sistemit parauniversitar në komunat Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë”.
Cakaj tha se “ky vendim është në funksion të rritjes së edukimit në përgjithësi dhe ruajtjes së identitetit kombëtar në veçanti”.
“Shqipëria mbetet e përkushtuar për rritjen e kujdesit për të gjithë shqiptarët në rajon dhe diasporë në përgjithësi”, përfundoi Cakaj.