Italia vazhdimisht i mbështet qëllimet strategjike të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në NATO dhe BE, dhe me iniciativë të saj do të mbahet takim i jashtëzakonshëm i Këshillit për punët të përgjithshme i Bashkimit Evropian në të cilin sërish do të hapet çështja për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Kjo është potencuar në takimin e sotëm në Romë të presidentit Stevo Pendarovski me homologun italian Serxho Matarela.
Pendarovski i cili qëndron për vizitë zyrtare në Itali, nga Matarela u prit me nderime shtetërore dhe ushtarake, pas së cilës të dy presidentët kanë realizuar takim tet-a-tet. Delegacionet zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Italisë kanë mbajtur edhe takim plenar.
Pendarovski në takim e falënderoi Italinë për mbështetjen e hapur të vazhdueshme për qëllimet tona strategjike, anëtarësimin në BE dhe NATO.
Me këtë rast, presidenti Pendarovski shtoi se integrimi i Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe NATO është në interes të sigurisë dhe prosperitetit rajonal.
Në këtë kontekst Pendarovski nënvizoi se Maqedonia e Veriut nuk ka alternativë tjetër përveç integrimit në BE dhe nuk janë të pranueshme modele tjera alternative për ndërtimin e marrëdhënieve të vendeve nga Ballkani Perëndimor me Unionin, të ndryshime nga standardet që i kaluan të gjitha anëtaret e BE-së si kandidate.
Në takimin mes presidentëve Pendarovski dhe Matarela është biseduar për marrëdhëniet bilaterale mes Maqedonisë së Veriut dhe Italisë, me ç’rast u konstatua se të dy vendet kanë marrëdhënie miqësore tradicionale, me nivel të lartë të mirëkuptimit dhe besimit, si dhe dialog të shkëlqyer politik i cili mund të kontribuojë për përforcimin e shkëmbimit tregtar, bashkëpunimin mes bizneseve dhe përforcimin e bashkëpunimit ekonomik.
Njëkohësisht presidenti Pendarovski në takim e ftoi presidentin Matarela për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut vitin e ardhshëm, ftesë të cilën presidenti Matarela e ka pranuar me kënaqësi.