Një ditë pas përfundimit të koordinimit në mes të grupeve punuese LDK-VV për harmonizim të programit, Isa Mustafa do të mbledh sot kryesinë e partisë.
Mbledhja që do të mbahet në Selinë Qendrore të LDK-së, vjen pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të gjashtë tetorit, që e konfirmuan se Lidhja Demokratike e Kosovës radhitet si parti e dytë pas Lëvizjes Vetëvendosje.
Takimi do të fillojë në ora 13:00 e mbahet pa prezencën e mediave. Kryetari i LDK-së do të flasë pas përfundimit të takimit.
“Nesër (e premte), më datë 8 nëntor 2019, në orën 13:00, mbahet mbledhja e Kryesisë së LDK-së. Mbledhja mbahet në selinë qendrore të LDK-së (Kompleksi Qafa). Mediet mund të marrin pamje në fillim të takimit, ndërsa pas mbledhjes kryetari i LDK-së, Isa Mustafa mban konferencë për medie”, thuhet në njoftim.
LDK – VV, dje u bë e ditur se kanë përfunduar harmonizimin e programit që ishte paraparë që të bëhej përmes grupeve punuese.
Pas takimit që u mbajt në Vetëvendosje, Avdullah Hoti tha se tashmë kanë mbetur takimet që do të mbahen në nivel të liderëve.
“Prej zhvillimit, ekonomik, arsimit shëndetësisë, kulturë, sport, politika sociale dhe për sa na përket neve kemi arritur t’i përmbyllim diskutimet tona, ne jemi të gatshëm këtë marrëveshje në formë të shkruar do ta dorëzojmë te kryetarët e partive që do të ulën, menjëherë pas certifikimit të rezultateve për të konkretizuar dhe për formalizuar këtë marrëveshje”, tha Hoti.
LDK e Vetëvendosje që nga dorëheqja e Ramush Haradinaj nga pozita e kryeministrit kanë diskutuar për një koalicion të mundshëm fillimisht parazgjedhor. Pasi që një i tillë dështoi, të dy partitë arritën në dakordim se ai që fiton besimin e qytetarëve me 6 tetor duke dalë si më i votuari, do të udhëheq me qeverinë e ardhshme. Dje ndërkaq, u konfirmua nga rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve se si parti e parë radhitet VV-ja e Albin Kurtit.
VV e LDK janë pajtuar për tema të ndryshme, përfshirë këtu 12 ministri. Javën e ardhshme ndërkaq është paraparë të mbahet takimi në nivel të liderëve.