Qytetarët që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës po kërkojnë që të marrin kursimet e tyre në Trust. Ky institucion nuk e ka të rregulluar me ligj këtë gjë.
A.B nga lagja Ulpiana e Prishtinës mbi dhjetë vite ka punuar në një kompani private në Kosovë ku ka pasur të ardhura të mira. Kontributet që i pagoi në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) kapin vlerën mbi 15 mijë euro. Por, ai thotë se këto para po dëshiron t’i tërheq pasi ka vendosur të heqë dorë nga shtetësia e Kosovës. Për këtë, ka thënë se ka qenë edhe në Trust. “Kamë qenë dy herë në Trust, njëherë vjet e një herë sivjet. U kam thënë të më tregojnë se cila është procedura e tërheqjes së parave pasi të heqë dorë nga shtetësia. Më kanë thënë se nuk mundesh me i tërheq pasi kjo punë nuk është e rregulluar me ligj. Kjo po i bie që unë duhet me pritë edhe 25 vjet që të më dal një pension i Kosovës 100 euro”, tha ai për lajmi.net.
Edhe Kushtrim Rrahmani nga Klina ka thënë se ka qenë në Trust për të pyetur se si mund të tërheq paratë e vëllait të tij, por thotë se ka marrë përgjigje negative.
Jeton Demi, zëdhënës në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës thotë se kjo çështje nuk është e trajtuar me ligj.
“Aktualisht nuk është trajtuar me legjislacion çështja e tërheqjes së kursimeve pensionale të kontribuuesve që japin dorëheqje nga nënshtetësia e Kosovës”, tha Demi për lajmi.net.
Ai thotë se FKPK-ja nuk e di sa para janë të personave që kanë hequr dorë nga shtetësia.
“FKPK-ja nuk ka, dhe nuk mban informacione të tilla”, tha tutje Demi.
Megjithëkëtë, Demi ka treguar për shumën që u tërhoq në këtë vit nga kategoritë tjera kontribuese.
“Deri më 30.09.2019 (pra për këta 9 muaj të vitit 2019) të drejtën për të tërhequr kursimet pensionale e kanë realizuar 6,385 kontribuues me vlerën përkatëse prej 42.33 milionë euro”, tha zëdhënësi i Trust-it.
MBP: Për 10 muaj janë liruar nga shtetësia 4666 persona
Ndërkohë, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të Kosovës janë mijëra qytetarë që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës në këtë vit. Por, që kjo nuk nënkupton që të gjithë ata kanë qenë kontrubues në Trust.
“Gjatë periudhës janar-tetor 2019 janë liruar nga shtetësia e Republikës së Kosovës 4666. Ndërsa, gjatë vitit 2018 janë liruar nga shtetësia e Republikës së Kosovës 5463. Arsyet pse personat heqin dorë nga shtetësia e Republikë se Kosovës është pasi që shumë shtete të Bashkimit Evropian nuk lejojnë dy shtetësinë përfshirë këtu edhe disa shtete që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, duke pas parasysh që një numër i madhe i shtetasve tonë jetojnë tashmë me vite në këto shtete e një numër i madh edhe kanë lindur në këto shtete dhe si rezultat i saj kanë fituar të drejtën e fitimit të shtetësisë dhe janë të obliguar të lirohen nga shtetësia e mëparshme në rast se dëshirojnë ta fitojnë shtetësinë e atij vendi”, thuhet në përgjigjen Zyrës për Komunikim Publik të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhënë lajmi.net.
Megjithëkëtë, Trusti ka konsideruar se rregullimi i legjislacionit për tërheqjen e parave nga heqja dorë e shtetësisë duhet të jetë me prioritet.
“Stafi i FKPK-së ka pranuar kërkesa dhe shqetësime të shumta të shtetasve kosovarë që janë të gatshëm të dorëhiqen ose janë dorëhequr nga shtetësia kosovare, të cilët kanë emigruar ose janë në proces të emigrimit, por që aktualisht nuk kanë të drejtë ligjore për t’i tërhequr kursimet pensionale nga FKPK-ja. Kjo çështje kërkon trajtim të hollësishëm bazuar edhe në përvojat e shteteve të tjera, meqë FKPK-ja nuk ka qartësi të plotë juridike për ta trajtuar këtë çështje, ndërsa kërkesat e kontribuuesve si të tilla duken të arsyeshme”, thuhet në raportin vjetor të FKPK-së.
Kur mund të tërhiqen kursimet pensionale nga kontribuuesi:
a) kur arrin moshën e pensionit (aktualisht me ligj është caktuar mosha 65 vjeç); b) kur merr ndihmë invaliditeti nga MPMS; ose c) kur vdes para tërheqjes së kursimeve pensionale, e që në këtë rast trashëgimtarët ligjor të tij/saj e tërheqin gjithë bilancin e kursyer.
Programi i Tërheqjes në Faza (PTF)
PTF është i tillë që përfituesit në këtë skemë tërheqin nga kursimet e tyre çdo muaj nga 200 euro ose 1% të bilancit në momentin e pensionimit (cilido qoftë më i ulët), derisa e gjitha shuma të shterojë.
Si mund të tërhiqen kursimet pensionale?
Kontribuuesit që tërheqin kursimet pasi arrijnë moshën e pensionit zgjedhin të marrin 0% ose 20% të kursimeve në një pagesë dhe shuma tjetër iu drejtohet në PTF. Sidoqoftë, nëse një kontribuues ka një bilanc në llogari me më pak se 3,000 euro) kursime atëherë e gjitha shumta tërhiqet me një pagesë. Kontribuuesit që tërheqin kursimet për shkak të invaliditetit do të marrin kursimet e tyre përmes PTF në shumë prej 200 euro deri në: i) periudhën që u mbaron invaliditeti; ose ii) derisa kursimet e tyre shterojnë – cilado të ndodhë e para. Në anën tjetër, përfituesit e kontribuuesve të vdekur mund të zgjedhin që të tërheqin të gjitha kursimet menjëherë ose t’i transferojnë ato në llogarinë e tyre të kursimeve pensionale në FKPK.
Mosha mesatare e kontribuuesve në vitin 2018 është rritur lehtë në 40.7 vjeç nga 40.5 sa ishte në vitin paraprak. Ndërsa mediana u ul për një vit, në 38 vjeç (nga 39 që ishte një vit më parë). /Lajmi.net/