Partia Socialiste në pushtet i ka fituar zgjedhjet e katërta në katër vjetët e fundit në Spanjë. Megjithatë, kjo parti ka dështuar të fitojë më shumë se 50 për qind të votave. Partia e së djathtës ekstreme, Vox, u ngjit në vendin e tretë, ndërsa partia “Qytetarët” pësoi humbje të rëndë. Këto rezultate lënë të kuptohet se Spanja mund të përballet përsëri me krizë politike, e cila mund të zgjidhet përmes negociatave të gjata për formimin e qeverisë në
një skenë mjaft të përçarë.
Kjo situatë do të ndikojë në anëtarësimin e plotë të Maqedonisë së Veriut në NATO, pasi Spanja është vendi i fundit që duhet të ratifikojë në Kuvendin e saj Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Qeveria në Shkup gjatë fundjavës ishte optimiste se Kuvendi i ri spanjoll pas zgjedhjeve mund të mblidhet deri nga fillimi i janarit dhe të miratohet protokolli, megjithatë situate e komplikuar edhe më shumë mund të çojë vendin në zgjedhje të reja, në rast se nuk arrihet kompromis për formimin e Qeverisë.
Duket se qytetarët spanjollë janë të zemëruar dhe të mërzitur nga kriza e vazhdueshme politike pasi pjesëmarrja në zgjedhje ishte rreth 6 për qind më e ulët. Në prill kishin votuar 75.5 për qind e spanjollëve me të drejtë vote, ndërsa të dielën votuan 69.9 për qind e tyre.
Fituesi i zgjedhjeve dhe kryeministri i tanishëm tha se synon të formojë një qeveri përparimtare dhe kërkoi nga kundërshtarët politikë që të mos e pengojnë për arritjen e këtij qëllimi, shkruan “The Guardian”.