Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti mori pjesë në Kongresin III Vjetor Shqiptar të Traumës dhe Kirurgjisë Emergjente ACTES 2019. Kjo ngjarje shkencore u mbajt nga 7 e deri më 9 nëntor të këtij viti në kryeqytetin shqiptar – Tiranë. “Edukimi më i mirë për traumën dhe kirurgjinë emergjente dhe jo vetëm” ishte tema boshte e këtij kongresi që i bëri bashkë, studiues shkencorë të traumës dhe kirurgjisë emergjente nga vendet ballkanike, evropiane dhe më gjerë.
Në cilësinë e mysafirit special, në hapjen solemne të punimeve të kongresit ishte i ftuar Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Ai, para pjesëmarrësve në këtë tubim shkencor në emrin e tij dhe të Universitetit të Tetovës e përgëzoi Asociacionin Shqiptar të Traumës dhe Kirurgjisë Emergjente për organizimin e kësaj veprimtarie shkencore, për përkushtimin ndaj mjekësisë, me theks të veçantë traumës dhe kirurgjisë emergjente, sikundër edhe shprehi falënderime për mundësitë që ofrojnë për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit mes institucioneve të arsimit të lartë në trojet tona etnike. “Universiteti i Tetovës, si njëri nga universitetet kryesore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, bashkë me universitetet tjera shqiptare në Republikën e Shqipërisë, Republikën e Kosovës e më gjerë, angazhohet për shtyrjen përpara të proceseve arsimore – shkencore, por edhe në lëmenj të tjerë me rëndësi për shoqërinë në përgjithësi. Ne i çmojmë lartë përpjekjet e organizatorëve të këtij kongresi për kontributin jetik për njerëzimin dhe angazhimin e tyre për një edukim më të mirë për traumën dhe kirurgjinë emergjente. Mjekësia dhe fushat tjera me rëndësi parësore kanë rolin kryesor në ruajtjen dhe zhvillimin e popujve, prandaj le të angazhohemi të gjithë në forcimin e institucioneve arsimore, subjekteve të ndryshme shoqërore, që kanë për synim arsimimin, emancipimin dhe zhvillimin e shoqërisë në përgjithësi”, tha Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Ai, më tej u shpreh se edhe përkundër sfidave dhe vështirësive me të cilat jo rrallëherë përballemi ne si drejtues të universiteteve, vlerësoj se universitetet tona dhe subjektet tjera juridike qëndrojnë në lartësinë e detyrës që përfaqësojnë dhe vetëm duke e kryer me sukses veprimtarinë arsimore – shkencore ne mund t’i lejojmë vetes të themi se kontribuojmë në zhvillimin dhe përparimin e përgjithshëm të kombit. “Na takon neve, drejtuesve të universiteteve publike shqiptare, hulumtuesve shkencorë, që të punojmë pareshtur në përmbushjen e objektivave, që për kryefjalë kanë zhvillimin dhe përparimin e arsimit kombëtar, shkëmbimin e përvojave, dhe formave të tjera të bashkëpunimit me interes të përbashkët. Uroj që ky kongres, i treti me radhë, ta thellojë edhe më shumë bashkëpunimin ndër – shkencor, të shërbejë në shpalosjen e ideve, pikëpamjeve dhe mendimit alternativ. Universiteti i Tetovës ndjehet i nderuar që është pjesë e takimeve të këtij niveli akademik dhe ju siguroj se do të punojmë me dinjitet, përkushtim, profesionalizmin e duhur në të gjitha proceset akademike, kulturore dhe njerëzore”, shtoi mes tjerash Prof. Dr Vullnet Ameti, Rektori i UT-së.
Kongresi Ndërkombëtar i Traumës dhe Kirurgjisë Emergjente organizohet nga Asociacioni Shqiptar i Traumës dhe Kirurgjisë Emergjente në bashkëpunim me një numër të asociacioneve kombëtare dhe ndërkombëtare. Kongresi synon që të gjithë profesionistët e shëndetësisë të takohen, të ndajnë përvojën, njohuritë dhe teknikat e traumës dhe kirurgjisë emergjente.