Kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu, fitues i çmimit 13 Nëntori nga Unioni i Sporteve të Shkupit

Unioni i Sporteve të Shkupit i ndau Kryetarit të Komunës së Çairit çmimin 13 Nëntori, i cili prej vitit 1970 tradicionalisht ju ndahet personаve që kontribuojnë në promovimin e vlerave sportive dhe zhvillimin e sportit në Shkup.

Marketing

Lidhur me këtë rast, kreu i Çairit Ganiu u shpreh: “Në jetën time çdoherë jam munduar të mbjell dashurinë për sportin te të rinjtë dhe të përkrah punën profesionale të klubeve të sportit. Çmimin që sot pranova nuk e perceptoj thjeshtë si triumf personal, por si arritje të përbashkët me veprimtarët e sportit në drejtim të shumë sukseseve sportive dhe si obligim moral për edukimin e gjeneratave të shëndosha. Ne si veprimtarë të sportit nuk do ndalemi këtu dhe do të trasojmë vazhdimin e kësaj rruge të sukseseve. Në këtë drejtim, edhe si kryetar i Komunës së Çairit ndër fokuset primare në agjendën e punës në kontinuitet kam përmirësimin e infrastrukturës sportive.”

Viti 2019 është viti i lavdisë sportive pasi në veçanti Çairi i ka dhënë vendit dhe botës kampionë të shumtë, ndër të cilët kampion evropian për kadetë në mundje, medalje të artë në Kupën e Kombeve në Boks, u fitua turneu ndërkombëtar i boksit “Gongu i Artë”, vlen të përmendet prezantimi dinjitoz i klubeve të futbollit dhe futsallit në kompeticionet evropiane, si dhe shumë të arritura tjera.