Andorra do të jetë kundërshtari i radhës i kombëtares shqiptare të kualifikueseve të Euro 2020. Në letër, janë kuqezinjtë që vijnë si të favorizuar dhe kjo pranohet edhe nga trajneri i kësaj përfaqësuese, Koldo Alvarez. Megjithatë ai refuzoi të dorëzohet përpara kësaj sfide teksa theksoi se skuadra e tij do të kërkojë të marrë rezultatin më të mirë të mundshëm.
“Nuk është se vijmë me idenë se duhet të fitojmë patjetër në ndeshjen me Shqipërinë. E dimë që përballë kemi një skuadër që është superiore ndaj nesh, me futbollistë që luajnë në kampionate të një niveli më të lartë se futbollistët tanë. Por në këtë ndeshje do të luhen 11 kundër 11 lojtareve dhe ne do të tentojmë të marrim rezultatin më të mirë të mundshëm”, tha Alvarez.
Për trajnerin Alvarez, futbollistët e tij nuk do të mund të kontrollojnë lojën e kombëtares shqiptare duke shpresuar ndoshta edhe në një shpërqëndrim të kuqezinjve duke qenë se të dielën i pret ndeshja me Francën.
“Ne do të kontrollojmë atë që do të bëjme ne si ekip, jo atë që do të bëjë Shqipëria. Kjo është diçka që e vendos kombëtarja shqiptare dhe jo Andorra, sepse ata ndoshta mendojnë edhe për ndeshjen e së dielës”, tha Alvarez.
‘Elbasan Arena’ do të jetë impianti që do të presë sfidën mes Shqipërisë dhe Andorrës, një ndeshje kjo që do të transmetohet në Digitalb.