Arsimtarëve të Kumanovës iu morën 1600 den nga rrogat e tyre, Dimitrievski ikë!

Tv21 para 5 ditësh raportoi për problemin e arsimtarëve kujdestarë në Komunën e Kumanovës, të cilët u ankuan se do t’ua ndalin shtesat e kujdestarisë për muajin tetor. Kryetari i Komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski, u çudit kur e pyetëm se përse do të shkurtohen pagat e mësimdhënësve kujdestarë nëpër shkolla. Para ca ditësh na tha se për herë të parë po dëgjon për një gjë të tillë. E na drejtoi të kërkojmë përgjigje në MASH.

Marketing

“Për herë të parë po dëgjoj për këtë punë, siç e dini ne vetëm i transerfojmë mjetet të cilat i marrim nga MASH, se si do të shpërndahen ato në nivel qendror, ashtu do të zbatohet edhe në atë lokal. Komuna nuk është ajo që shkurton mjete, por është shteti ai që detyron, që mjetet e dedikuara për pagat dhe kontributet, tu transferohen të punësuarve”, tha kreu i Kumanovës, Maksim Dimitrievski. Drejtori i shkollës fillore “Bajram Shabani”, Mustafa Ebibi për TV21 konfirmoi se shtesat e arsimtarëve do të ndalen, por na tha se ende nuk e kishte nënshkruar dokumentin e duhur. Ai thotë se nuk ka pranuar ankesa nga arsimtarët për ndaljen e shtesave për kujdestari sepse të njëjtat do t’i kthehen pas dy muajsh. “Jo ende nuk e kemi nënshkruar, ato janë punë juridike, ne drejtorët nuk i kemi ato kompetenca, por sekretarët të cilët janë ekonomistë dhe juristë dhe i dijnë ato punë administrative. Me sa flitet ajo do të kompensohet pas dy muajve, besoj se është e arsyeshme, do të rikthehen ato të holla. Janë ankuar arsimtarët te ju? Jo nuk janë ankuar. Çdo shkollë nuk e ka shifrën e njëjtë, ndonjë më pak ndonjë më tepër, te ne janë nja 15 arsimtarë. Kam biseduar me sekretarin, thotë se nuk ka ankesa”, deklaroi Mustafa Ebibi, drejtor i SH.F. “Bajram Shabani”

Mësuesit dhe arsimtarët kujdestarë të klasave që tashmë kanë marrë pagat e tetorit, për TV21 kanë konfirmuar, se pagat i kanë marrë pa shtesa, gjegjësisht kanë marrë 1600 den më pak. Këtë e dëshmojnë këto dokumente. Sipas arsimtarëve që kontaktoi TV21 e që donin të mbeten anonim, thonë se drejtoria e shkollës u ka thënë se disave do t’ua ndalin shtesat në tetor, disave në pagat e nëntorit, e më pas do t’ua kompensojnë në dhejtor. Kërkuam edhe sot një qëndrim nga kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, por nuk na u përgjigj ngaqë nuk gjeti kohë për të na kthyer përgjigje./TV21