Shpallja e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut, më 12 prill të vitit 2020, ka aktivizuar shumë institucione shtetërore e ndërmarrje publike për shpalljen e konkurseve për punësime të ndryshme. Data e zgjedhjeve është shpallur më 21 tetor dhe që atëherë janë me dhjetëra konkurse që janë shpallur nga agjencia për administratë për qindra vende pune, ndërkohë që shumë shpallje tjera janë në përgatitje e sipër. Ministria e Bujqësisë, ajo e Drejtësisë, drejtoria e të ardhurave publike, institucionet shëndetësore e komunat, janë vetëm nga institucionet që kërkojnë punonjës të ri.
Nga Ministria e Administratës Publike pranojnë shpalljen e konkurseve, por hedhin poshtë reagimet në opinion se punësimet bëhet për sigurimin e votave për zgjedhjet parlamentare. “Po, kemi shpallur dhe do të shpallin konkurse. Punësimet nuk do të ndalen pasi institucionet kanë nevojë për punonjës. Ne nuk kemi një evidencë se kush për çfarë ka nevojë, pra ne si ministri nuk i publikojmë konkurset por organet e administratës që kanë mungesë të kuadrit. Ne po bëjmë reforma në administratë, por nuk mund të ndalojmë boshllëqe atje ku ka nevojë për punonjës. Dhe gjithë këto nuk bëhen për fushatë zgjedhore, do të respektohen të gjitha procedurat ligjore”, ka deklaruar Mministri i Administratës Publike, Damjan Mançevski.
Punësime janë bërë edhe në të kaluarën, pra gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së, e cila tani thotë se këto punësime nuk janë gjë tjetër pos përpjekje e pushtetit për të siguruar më shumë vota në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa ka kërkuar nga Komisioni për parandalimin e korrupsionit që të hetojë të gjitha konkurset, nëse janë bërë ose jo në përputhje me dispozitat ligjore. Nga Komisioni Anti-korrupsion janë të vetëdijshëm se punësime do të bëhen andaj edhe po ndjekin situatën me kujdes. “Të gjithë e dimë se të gjitha punësimet në sektorin publik bëhen në kohë të zgjedhjeve me qëllim që të përfitojnë politikisht, apo të sigurojnë vota nga ata që punësohen dhe familjarët e tyre. Ne si komision konsiderojnë se jemi në krye të detyrës, po ndjekim situatën dhe do të ndërhyjmë nëse vërejmë keqpërdorim të punësimeve në administratë”, Goran Tërpenovski nga Komisioni Anti-korrupsion. (REL)