Zëvendës Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, z. Sadulla Duraki së bashku me Sekretarin shtetëror, me rastin e 22 nëntorit – Dita e alfabetit të gjuhës shqipe, në kuadër të manifestimeve për këtë festë, sot 19.11.2019 (e martë) vizituan shkollën “Kongresi i Manastirit” në Komunën e Çairit.
Shkolla “Kongresi i Manastirit” sot shënon patronazhin, ku fjalë rasti kishin Drejtori i shkollës, z. Faik Xhoni, Kryetari i Komunës së Çairit, z. Visar Ganiu dhe Zëvendëskryeministri z. Sadulla Duraki.
Para të pranishmëve, zëvendëskryeministri Duraki shprehu privilegjin të jetë i pranishëm në shkollën e cila mban emrin e kësaj feste madhështore të Kongresit të Manastirit.
“Është kënaqësi e vecantë që në festën e shkronjave shqipe të jem në një shkollë, që mban emrin e Kongresit të madh të Manastirit. Është e mrekullueshme që 111 vjet pas, në Shkupin e vjetër të mblidhemi për të festuar këtë ngjarje të madhe, duke parë këta nxënës që këndojnë e recitojnë në gjuhën tonë të lashtë.” – tha ai.
Më pas zëvendëskryeministri Duraki theksoi se rruga e rilindasve tanë deri te kjo ditë ka qenë përplot me sakrifica dhe dhimbje, andaj duhet të punojmë në përforcimin e vetëdijes kombëtare për këtë ngjarje.
Ndryshe në ditët në vazhdim, në mbështetjen e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe në bashkëpunim me Institutin të Trashëgimisë Shpirtëore e Kulturore të Shqiptarëve, do të realizohen promovime të titujve shkencore, do të mbahet Konferencë shkrencore dhe së fundmi në 22 nëntor do të mbahet Akademi solemne nën patronazhin e Zëvendëskryeministrit Duraki.