Agjencia për Zbatimin e Gjuhës nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë

Sot në Shkup, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhës e vizitoi një delegacion i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, i udhëhequr nga kryetari i saj – Skënder Gjinushi. Në përbërje të këtij delegacioni ishin akademik Shaban Sinani, akademik Gjovalin Shkurtaj si dhe Albana Velianj, përgjegjëse në Sektorin e Botimeve Shkencore dhe Bibliotekës Shkencore i cili shoqërohej nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka. Delegacioni u prit nga drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela si dhe nga bashkëpunëtorët e tij.

Marketing

Gjatë këtij takimi, drejtori Sela e njoftoi delegacionin e sipërthënë lidhur me punën dhe me veprimtaritë që janë duke u zhvilluar në këtë institucion. Për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy institucioneve, me interes për gjuhën shqipe si vlerë e përbashkët, foli edhe akademiku S. Gjinushi.

Me këtë rast, drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Ylber Sela si dhe kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, nënshkruan një memorandum bashkëpunimi.

Në fund të këtij takimi, Akademia e Shkencave e Shqipërisë i dhuroi Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, një fond librash që i kishte sjellë enkas për bibliotekën e Agjencisë.