Zaev: Qytetarët me të drejtë të zhgënjyer, nuk arritëm të përmbushim pritjet e tyre

Kryeministri në detyrë i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë ka thënë se qeverisjes së tij janë bërë lëshime në disa sfera, përfshi dhe gjyqësorin.

Marketing

Zaev thotë se qytetarët nuk i përjetuan pritjet e tyre, por shton se në periudhën që pason mund të priten vendime konkrete gjyqësore.
Ai është optimist se BE-ja do ta përmirësojë, siç e quan ai, gabimin historik për mos hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Jam i vetëdijshëm për lëshimet e kësaj Qeverie, por edhe të sistemit. Zhgënjimi është i pranishëm tek qytetarët, por edhe tek unë pasi BE-ja nuk solli vendim të drejtë. Shpresa jonë mbetet se këtë gabim historik do ta përmirësojnë. Përfundimisht qytetarët nuk i përjetuan pritjet nga gjyqësori dhe për këtë arsye në zëshëm flasim për atë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen me pushtetin gjyqësor. Neve i sollëm ligjet, Kuvendi i miratoi dhe tani presim që gjërat të ndryshojnë”- tha Zaev shkruan Alsat-M përcjellë Klan Kosova.
I pari i qeverisë maqedone foli edhe rreth rastit të njohur si “reketi”, duke thënë se ai nuk është nën hetime por është denoncues i rastit.

“Zoran Zaev është denoncues i rastit. Zoran Zaev nuk është nën hetim. Çka do që ka të lidhur me këtë rast, do të doja ta shihja të zbardhur dhe transparente”.
Lidhur me vettingun për të cilin Zaev ditë më parë deklaroi se nuk është realizuar me kërkesë të BE-së, tani thotë se vetting do të ketë dhe se politikanët nuk do të kenë dorë në zbatimin e tij.

“Vettingun mund të fillojmë ta zbatojmë me modelin e miratuar më herët ku politikanët do të jenë jashtë vendimmarrjes, me qëllim që ta bëjmë një reformë dhe ndryshim të tërësishëm të mentalitetit të qasjes së gjyqësorit. Kjo duhet të ndodhë edhe me Qeverinë, por edhe me segmentet tjera në shoqëri. Çfarë është e re? E reja është se tani do të insistojmë në nxjerrjen e shpejtë të kuadrove nga Akademia për gjykatës dhe prokurorë”-thekson Zaev.

Lidhur me rritjen e pensioneve dhe pagës minimale, Zaev hedh poshtë akuzat e opozitës se bëhet fjalë për blerje të zgjedhjeve.
Ndërkaq sa i përket kontesteve me Greqinë dhe Bullgarinë dhe çështjeve që burojnë nga marrëveshjet, Zaev thotë se rruga e vetme për tejkalimin e tyre është zgjidhja përmes dialogut dhe marrëveshjes.
Lidhur me formimin e Qeverisë teknike dhe zgjedhjet e 12 prillit, Zaev ka deklaruar se ekzekutivi do ta merr formatin teknik më 3 janar, duke shtuar se nuk dyshon se subjekti i tij do të fiton në zgjedhjet e 12 prillit 2020.