Hapja e vendkalimit kufitar Llojan – Miratoc ishte temë e bisedës mes zëvendëskryeministrit, Bujar Osmani, me sekretarin shtetëror në MPB-në e Serbisë, Miroslav Miliçkoviç.
Ata u pajtuan se marrëveshja në mes dy qeverive të nënshkruhet në mesin e muajit të ardhshëm, kurse të ratifikohet në dy parlamentet deri në fund të vitit, që të mundet të fillojnë punimet për këtë vendkalim kufitar.
“U dakorduam që hapja të bëhet në dy faza. Faza e parë të jetë e përkohshme për qarkullimin e njerëzve me infrastrukturë eventualisht edhe të improvizuar, që mos të zgjatet shumë koha e përgatitjes për fillimin e pikave kufitare dhe e dyta zgjidhja e përhershme e cila pastaj mund të transformohet në një pikë kufitare ndërkombëtare me të gjitha karakteristikat që i ka një pikë kufitare ndërkombëtare”,- tha zëvendëskryeministri për çështje eurointegruese, Bujar Osmani.
“Pikërisht në frymën e mini-Shengenit dhe lehtësimit të qarkullimit të mallrave, shërbimeve dhe njerëzve si dhe me qëllim të lehtësohet jetesa e banorëve lokalë që jetojnë në atë pjesë planifikojmë ta hapin këtë vendkalim kufitar dhe e dakorduam tekstin që do të zbatojmë deri në fund të vitit”,- tha sekretari shtetëror në MPB të Serbisë, Miroslav Miliçkoviç.
Sa i përket pikës kufitare Bellanoc-Stançiç, Osmani tha se pritet pala kosovare të rregullojë disa çështje teknike.
“Policia e Kosovës ka kërkuar edhe disa ditë për t’u lidhur ata me internet për kompjuterët e tyre që do të bëjnë kontrollin nga ana e tyre. Ne nuk mund të bëjmë më tepër andej. Jemi të gatshëm t’u ndihmojmë nëse kërkojnë ndonjë ndihmë teknike prej nesh, por në momentin kur pala kosovare do të na informojë se janë gati, ne do të fillojmë”,- theksoi zëvendëskryeministri për çështje eurointegruese, Bujar Osmani.
Osmani po ashtu theksoi se pala kosovare po punon që sa më parë ky vendkalim kufitar të lëshohet për qarkullim të njerëzve dhe mallrave.