Procesi i “Vetingut”, Kacarska në një linjë me Deskoskën, por kontra Zaevit

Në intervistë për median “A1ON”, gjykatësja Dobrilla Kacarska ka deklaruar se me realizimin e procesit të “Vetingut”, në Maqedoninë e Veriut do të largoheshin nga postet e tyre shumë gjykatës që nuk e meritojnë ta bartin togën gjyqësore, transmeton Portalb.mk.

Marketing

“Ndër gjykatësit ka edhe aso që nuk e meritojnë ta bartin togën gjyqësore. Konsideroj se nëpërmjet procesit të ‘Vetingut’, përfundimisht, në Maqedoni do të largoheshin të gjithë gjykatësit që nuk meritojnë të jenë bartës të funksionit gjyqësor. Dihet kush mund të jetë gjykatës, sipas Ligjit këta kushte mund t’i përmbushin të gjithë, por gjykatësi duhet të jetë njeri, me integritet, me imazh, profesional dhe të ngjashme”, tha Kacarska.

Ajo është shprehur në një linjë me ministren e Drejtësisë, Renata Deskoska, se më mirë është për një kohë të mbetemi me një numër të vogël të gjykatësve, por ata të jenë profesional dhe të ndershëm.

“‘Vetingu’ do të ishte erë në shpinën e të gjithë gjykatësve të ndershëm, që të përkushtohen në punë dhe të punojnë në përputhje me Ligjin”, tha Kacarska.

Kjo vjen ngaqë paraprakisht, Deskoska doli kontra kryeministrit Zoran Zaev duke thënë se më mirë të kemi deficit të gjykatësve, se sa ata të jenë në numër e mos të jenë profesional.

E kryeministri Zaev pati deklaruar se ka hequr dorë nga realizimi i Procesit të Vetingut, pasi sipas tij s’ka kush t’i zëvendësojë gjykatësit dhe prokurorët e larguar.

Megjithëse u tha se për Vetingun do të flitet pas Samitit të Këshillit të Bashkimit Evropian që u mbajt në tetor, kjo është shtyrë për pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara për më 12 prill të 2020.