Nis hetimi i prokurorëve special që abuzuan me buxhetin

Ish-Prokuroria Speciale në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht prokurorët e saj që tashmë kanë kaluar në prokurorinë e rregullt janë vënë në shënjestër të kritikave të reja për keqpërdorim të buxhetit për aq kohë sa kanë qenë pjesë e ish organit special të akuzës.

Marketing

Në fakt, Prokuroria për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pas dyshimeve dhe informacioneve të publikuara në opinion, që të shtunën ka nisur hetimin e rastit me ç’rast ka konstatuar se prokurorët specialë, përveç pagave që silleshin rreth 1300 euro në muaj, kanë marrë po aq edhe shtesa apo bonuse në muaj, që i bie çdonjëri prej tyre të ketë marrë më shumë se 22 mijë euro në vit apo rreth 100 mijë euro gjatë mandatit katërvjeçar.

“Të dhënat e para tregojnë se prokurorët specialë kanë marrë nga dy paga në muaj. Kjo tregon absurditetin se deri ku kanë shkuar me shpenzimin e parave shtetërore. Për shembull, edhe një sekretar i Prokurorisë Speciale ka marrë pagë më të lartë se presidenti i shtetit. Ata kishin të drejtë të marrin shtesa mujore, por ato nuk duhej të ishin më të larta se 35 për qind e pagës mujore”, tha ditë më parë prokurori i shtetit, Lubomir Jovevski. Të dielën, VMRO ka përsëritur akuzat se “Prokuroria Speciale ka funksionuar si një shoqatë kriminale përmes së cilës ka përvetësuar para përmes prokurorëve të LSDM-së dhe zyrtarëve”. Nga VMRO DPMNE-ja theksojnë se prokuroria nuk funksionon profesionalisht, por në bashkëpunim me partinë e Zoran Zaev.