Pompeo: SHBA-ja e deponoi protokollin për NATO, e presim Maqedoninë e Veriut si anëtare e 30-të

SHBA-ja e deponoi protokollin e ratifikuar për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO. Këtë e bëri të ditur sekretari shtetëror Majk Pompeo në faqen e tij në Tuiter.

Marketing

“Me kënaqësi ju bëj të ditur se SHBA-ja e dorëzoi protokollin e ratifikuar për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO. Një hap më afër deri në pranimin e Maqedonisë së Veriut si aleate e 30-të”, bëri të ditur shefi i diplomacisë amerikane.

Senati amerikan e ratifikoi protokollin për anëtarësim të vendit në Aleancë më 22 tetor të këtij viti.

Nga anëtarësimi i plotfuqishëm në NATO, Maqedoninë e Veriut e ndan vetëm një ratifikim duke pasur parasysh se për dhjetë muaj protokolli për anëtarësim në NATO është ratifikuar nga 28 prej gjithsej 29 anëtareve.

Pritet që edhe në Samitin e NATO-s që do të mbahet nesër dhe pasnesër në Londër, në deklaratën përfundimtare të theksohet se vendi është i mirëseardhur si anëtar i 30-të.