Mediat në Serbi raportojnë se UEFA duhet të mendojë një zgjidhje në rast të kualifikimit të Kosovës në Kampionatin e ardhshëm Evropian, ‘Euro 2020’. Turneu i madh evropian do të zhvillohet në 12 qytete të ndryshme të Kontinentit të Vjetër, ndërsa Përfaqësuesja jonë është në garë për të marrë pjesë përmes Ligës së Kombeve. Si fituese e Grupit 3 të Ligës D, Kosova do ta zhvillojë një ndeshje gjysmëfinale (ndaj Maqedonisë së Veriut) dhe një finale (ndaj fituesit të duelit ndërmjet Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë).
Nëse Rumania kualifikohet (si fitues i Ligës A), atëherë do të përfshihet në Grupin C të ‘Euro 2020’, për faktin se ndeshjet e atij grupi do të zhvillohen në Bukuresht dhe në Amsterdam. Ndërsa fituesi i Ligës D (në këtë rast shpresojmë që Kosova) do të zhvendosej në Grupin F të Kampionatit Evropian – në këtë rast nuk do të kishte kurrfarë problemi. Mirëpo, nëse nuk kualifikohet Rumania, atëherë në Grupin C do të përfshihet fituesi i Ligës D (në këtë rast shpresojmë të jetë Kosova). Kjo do të thoshte se Përfaqësuesja jonë do të duhej t’i zhvillojë dy ndeshje në Bukuresht të Rumanisë (në një shtet që nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës). Rumania është një prej pesë anëtarëve të Bashkimit Evropian (së bashku me Spanjën, Sllovakinë, Qipron dhe Greqinë) që nuk e ka njohur Pavarësinë e vendit tonë.
Hyrja e qytetarëve të Kosovës në atë vend është e lejuar përmes vizave të veçanta, që sipas mondo.rs, do ta vështirësonte udhëtimin e tifozëve të Kosovës, si dhe do të krijohej një situatë e paqartë nëse autoritetet rumune do ta lejojnë zhvillimin e ndeshjes, lëshimin e himnit dhe kështu me radhë. Nga Rumania thonë se deri më tani në opinionin e atjeshëm publik nuk është diskutuar për këtë temë, kjo më shumë për faktin se ekziston optimizmi që të kualifikohet përfaqësuesja e tyre, gjë që do të anashkalonte çfarëdo problemi për UEFA-n.
Një tjetër problem që e ngrenë mediat serbe, është edhe përfshirja e Kosovës në të njëjtin grup me Ukrainën një tjetër shtet që nuk e ka njohur Pavarësinë tonë. Porse, Kosova dhe Ukraina kanë luajtur në kualifikimet për Kampionatin Botëror të vitit 2018, kur njëra ndeshje ishte zhvilluar në Poloni dhe tjetra në Shqipëri. Njëherësh në fazën grupore të ‘Euro 2020’ është shmangur edhe përfshirja eventuale e Kosovës në të njëjtin grup me Serbinë, Bosnje Hercegovinën dhe Rusinë. Porse në fazën e eliminimit direkt, mund të ndodhë përballja në mes tyre. /Telegrafi