“Titanik”, “Titanik 3” dhe “Magjar Telekom”, janë lëndët gjyqësore, të cilët sot vazhdojnë para Gjykatës Penale të Shkupit.
Procesi gjyqësor për parregullsitë zgjedhore “Titanik”, gjenden në procedurë dëshmuese dhe pritet të vazhdoj me rrëfimin e dëshmitarëve, të propozuar nga prokuroria. Kjo lëndë kryesohet nga gjykatësi, Osman Shabani, dhe përfaqësohet nga prokurorja Lile Stafanova, e cila nga Prokuroria Speciale Publike, është kthyer në Prokurorinë Publike.
Në këtë lëndë, përveç ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili është arrati, në rastin “Titanik”, akuzohen edhe Kirill Bozhinovski, Mile Janakievski, Gordana Jankullovska, Biljana Brishkoska-Boshkovski, Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temellko, Leko Ristoski, Kirill Todorovski, Katerina Velovska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeski, Marjan Nakevski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov, Dalibor Aleshkoviq dhe Lenka Rashjakovska.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale Publike, këta të akuzuar dyshohen për “bashkim kriminel”, “shkelje të të drejtës zgjedhore”, “shkelje të lirisë së shprehjes së votuesve”, “ryshfet gjatë zgjedhjes dhe votimit”, “shkatërrim të materialit zgjedhor” dhe “keqpërdorim të mjeteve financiare për fushatë zgjedhore”.
Lëndë e ngjashme e cila ka të bëjë me zgjedhjet është edhe rastin “Titanik 3”, ku të akuzuar janë Ejup Alimi dhe Ismet Guri nga BDI. Sipas aktakuzës ata ngarkohen se si anëtar të Komisionit zgjedhor në Komunën e Çairit, në zgjedhjet lokale në vitin 2013, kanë shkatërruar material zgjedhor për këtë proces zgjedhor.
Procesi gjyqësor për këtë lëndë më 15 mars të këtij viti filloi nga e para, pasi që gjykatësja Marija Kletniçka, u emërua gjykatëse e re e lëndës, gjegjësisht pasi që gjykatësja Olja Ristova, e cila e udhëhiqte lëndën, në shkurt të këtij viti kërkoj të largohet nga procedimi i mëtutjeshëm i rastit.
Ndërkohë, lënda gjyqësore “Magjar Telekom”, zhvillohet kundër ish-sekretarit të përgjithshëm dhe ish-drejtorit të financave të “Telekomit të Maqedonisë”, Atila Sendrei dhe Rollf Pllat, si dhe për dy persona tjerë për “keqpërdorim të pozitës zyrtare” dhe për “nënshkrimin e marrëveshjeve fiktive” për shërbime konsulente me kompani nga Qiproja”.
Këtë lëndë e udhëheq gjykatësja Lenka Davitkova, dhe e përfaqëson prokurorja Lile Stafanova. Për momentin është në fazë të prezantimit të dëshmitarëve. Ndryshe, ky proces gjyqësor filloi në vitin 2011, më pas e mori përsipër Prokuroria Speciale Publike.