Delegacioni nga Republika e Maqedonisë së Veriut (RMV) i udhëhequr nga zëvendës drejtori i Agjencisë për mbështetjen financiare të bujqësisë dhe zhvillimit rural, Abdul Selam Selami, ishte pjesëmarrës në takimin shpjegues të mbajtur në Bruksel. Tema e takimit ishte “Kapitulli 11” Bujqësia dhe zhvillimi rural, si pjesë e pregatitjeve për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Në takimin u prezantuan edhe aktet relevante nga ana e përfaqsuesve të shërbimeve të Komisionit Evropian mbi kapitujt e të drejtave të BE-së për bujqësinë dhe zhvillimin rural.
Përfaqësuesit e Komisionit Evropian, delegacionit i theksuan se Republika e Maqedonisë së Veriut ka përparim në drejtim të harmonizimit të legjislacionit në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural me legjislacionin e BE-së. Për sa i përket çështjeve horizontale, në përputhje me rekomandimet e Komisionit Evropian, vendi ynë është në rrugën e duhur. Të gjitha ligjet përkatëse në këtë fushë janë miratuar dhe janë në përputhje me legjislacionin e BE-së. Sistemi i Integruar i Kontrollit Administrativ (IACS) është funksional dhe i zhvilluar mirë. Gjithashtu u theksua që AMFBZHR vazhdimisht është duke punuar në përmirësimin e sistemit. Rrjeti i të dhënave të Kontabilitetit të ekonomive bujqësore (FADN) është operacional dhe përputhet me rregullat e BE-së dhe po bëhen përpjekje për të përmirësuar cilësinë e të dhënave vazhdimisht. Sa i përket Sistemit të Identifikimit të Parcelave të Tokës (LPIS), hartat e reja orto-foto janë zhvilluar dhe toka bujqësore po digjitalizohet. Përfaqësuesit e Komisionit Evropian gjithashtu theksuan se Republika e Maqedonisë së Veriut ka përparuar dhe në fushën e zhvillimit rural, të gjitha dispozitat ligjore janë në përputhje me legjislacionin e BE-së. Ata gjithashtu theksuan që Agjencia e Pagesave është plotësisht funksionale. Në të kaluarën dhe vitin aktual, janë bërë përpjekje për të rritur stafin e Agjencisë dhe Organit Drejtues, i cili sipas mendimit të tyre tashmë ka një ndikim pozitiv në absorbimin e fondeve në kuadër të Programit IPARD 2.