Putini vë në provë Gjermaninë

Kremlini i vlerëson marrëdhëniet e ngushta me Berlinin. Por parimi i Putinit është të mos lërë kurrë përshtypjen se është i dobët.

Marketing

Si do të reagojë Kremlini ndaj dëbimit të dy diplomatëve rusë nga Gjermania të mërkurën? Qeveria gjermane e ndërmori këtë hap pasi ajo më parë i kishte akuzuar autoritetet ruse për bashkëpunim në vrasjen e separatistit çeçen Zelimkhan Khangoshvili. Ai u qëllua për vdekje në Berlin në gusht nga një atentator që kaloi pranë tij me biçikletë. Një person i dyshuar ndodhet në paraburgim. Pasaporta e tij me sa duket është falsifikuar, i dyshuari hesht. Dhe Kremlini mohon çdo përfshirje – gjë që nuk është për t’u habitur.

Rregulli bazë në raste të tilla është që Moska reagon shpejt dhe rreptësisht në mënyrë simetrike: pra, kur dëbohen dy rusë, atëherë dy diplomatë duhet të largohen përgjithmonë nga kompleksi i gjerë i ambasadave të Gjermanisë në Perëndimin e Moskës. Por deri tani ajo që nuk ka ndodhur është pikërisht kjo. Ndoshta autoritetet ruse ende po diskutojnë se cilin duhet të dëbojnë në mënyrë specifike. Por shpjegimi më i besueshëm është se ato peshojnë pasojat e një përshkallëzimi të tillë. Qeveria gjermane ka njoftuar se do të vendos sanksione ndaj Rusisë, sapo të paraqitet prova e pjesëmarrjes zyrtare të Moskës në vrasjen e Khangoshvilit. Po të ndodhë kjo, mund të krijohet kriza më e madhe në marrëdhëniet bilaterale që nga rënia e Murit të Berlinit.

Hakmarrje masive?

A mund të llogarisë Gjermania në këtë rast solidaritetin e aleatëve të saj në NATO? Kur qeveria britanike e akuzoi Rusinë për përpjekjen për të vrarë në qytetin anglez të Salisbury me Novichok ish-togerin e shërbimit të fshehtë Sergej Skripal dhe vajzën e tij , 20 vende të NATO-s dëbuan më shumë se 100 diplomatë rusë. Këtë herë, një hakmarrje e tillë masive do të ishte pa gjasa.

Së pari, qeveria gjermane hezitoi gjatë për t’i dëbuar diplomatët rusë. Kjo la përshtypjen se ajo vetë nuk e merrte çështjen aq seriozisht. Së dyti, në Salisbury vdiq një shtetase e pafajshme britanike, Dawn Sturgess, si viktimë rastësore e sulmit me helm. Khangoshvili, nga ana tjetër, ishte një shtetas nga Gjeorgjia me një kërkesë të dështuar për azil dhe në pritje të vendimit për dëbim. Dhe për një kohë të gjatë u konsiderua i mundur edhe një veprim në mjedisin e krimit të organizuar.

Së treti, Mbretëria e Bashkuar përfitoi nga përkatësia e saj në “Five Eyes”, një aleancë e shërbimeve sekrete të SHBA, Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re. Kur Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja veprojnë si një njësi, aleatët e tjerë të NATO-s nuk kanë alternativë tjetër përveç se të ndjekin këtë shembull – ndikimi i tyre në Aleancë është shumë i madh.

Së katërti, megjithë aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014, Gjermania kurrë nuk i ka ndërprerë plotësisht kontaktet e saj me Moskën, edhe pse Berlini nga sanksionet pasuese vepron më me ashpërsi se shumë shtete të tjera të BE-së. Presidenti rus Vladimir Putin e di se ai ende gjen bashkëbisedues në Berlin dhe në Paris, edhe pse kolegët e tij nga Gjermania dhe Franca rrallëherë pajtohen me të. Dhe ai e vlerëson atë.

Megjithë kritikat e forta nga qeveria amerikane dhe protestat e ashpra nga Ukraina, Gjermania e ka lejuar monopolistin e gazit rus Gazprom të përfundojë projektin Nord Stream 2. Kievi e sheh tubacionin si një përpjekje të Rusisë për t’i dhënë fund tranzitit të gazit përmes Ukrainës, duke eleminuar në këtë mënyrë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave shtetërore të Ukrainës.

Kancelarja Angela Merkel është gjithashtu forca lëvizëse kur bëhet fjalë për ta nxitur presidentin e ri të Ukrainës Volodymyr Selenski që të bëjë kompromise me Putinin. Dhe politikanë të ndryshëm nga i gjithë spektri i partive në Gjermani kërkojnë rregullisht heqjen e sanksioneve kundër Rusisë. Opinioni publik në Gjermani është përgjithësisht më miqësor ndaj Rusisë dhe udhëheqjes së saj sesa ai në Mbretërinë e Bashkuar ose Shtetet e Bashkuara.

Kremlini para një dështimi në marrëdhëniet me publikun

E gjithë kjo duhet ta bëjë Putinin të mendojë dy herë përpara se të përfshihet në një konfrontim në shkallë të gjerë me Gjermaninë. Në dallim nga Salisbury, në Berlin u arrestua shpejt një person i dyshuar. Ndërkohë, zyra e Prokurorit Federal e ka marrë përsipër çështjen nga policia, dhe sa më shumë të avancojë hetimi, aq më e pakëndshme mund të jetë për qeverinë ruse.

Edhe pa këtë, Kremlini ndodhet para një katastrofë të marrëdhënieve me publikun, kur në Holandë të zhvillohet në mars seanca dëgjimore për rrëzimin e avionit të Malajzisë MH17. Sepse hetuesit do të dëshmojnë se katastrofa MH17 e vitit 2014 në Donbas e ka burimin nga goditja e avionit me një raketë ruse. Moska nuk do të përfitonte nga një skandal në të njëjtën kohë në Gjermani. Prandaj nuk përjashtohet që qeveria ruse do të përpiqet ta zgjidhë çështjen aktuale në Berlin me një qasje më pajtuese.

Putini, nga ana tjetër, ndjek parimin për të mos treguar kurrë dobësi. Putini pret që qeveria gjermane të shqyrtojë çështjen përveç konfliktit në Ukrainë dhe të mos e mbyllë derën për Rusinë edhe një herë./DW