Ja grupet që po e pengojnë koalicionimin VV – LDK?

Zvarritja e marrëveshjes VV-LDK, ka ngritur zëra të ndryshëm, shumica e tyre kritikues, të cilët thonë se nuk e kanë pritur këtë këmbëngulësi nga të dy partitë. Posti i presidentit po bëhet “mollë sherri” mes dy partive fituese, e që lideri i VV-së, Albin Kurti, ka thënë se vendi mund të shkojë prapë në zgjedhje. Njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se marrëdhënia dhe bisedimet mes LDK dhe VV janë të komplikuara, për shkak se ka ndikime të fuqishme nga të dy partitë.

Marketing

Ai shton se në LDK ka presione nga grupe të cilat janë të afërta me partitë tjera, ndërsa në VV ekziston presioni në formën mbi strukturën dhe personalitetet e kësaj partie. Ai tutje tregon se nga kush po pengohet që të arrihet ky koalicion. “Kështu edhe pse pa votën qytetare, partitë që mbrojnë interesat e oligarkisë vendore por edhe rrjetëzimit të saj rajonal, janë duke bërë gjithçka që kjo qeveri të dështoj në bërthamë, pra ky koalicion të dështojë dhe të bëhet ofertë tjetër e cila nuk do të merrej me ndryshimet e brendshme, as me rivendosjen e një raporti tjetër me Serbinë dhe serbët, por do të krijonte hapësirë që të përfshiheshin edhe këta në konjukturën e re”, u shpreh ai. Teksa kritikon fushatën zgjedhore, Lepaja megjithatë beson se do të arrihet koalicioni mes këtyre dy partive. “Para zgjedhjeve ishim dëshmitarë të një lufte të madhe për të komprometuar konceptin e ndryshimeve që përfaqësonte LVV dhe krahu i të rinjve në LDK.

Fushatat e pafund me shpifje, madje edhe sulmet fizike mbi aktivistët dhe përfaqësuesit e ndryshimeve ishin metodë neofashiste e cila dështoi në zgjedhje, por vazhdimi i saj tregon se ende nuk është hequr dorë nga sabotimi, nga lufta qoftë edhe qytetare për të mbrojtur interesat e jashtëligjshme dhe korruptive. Unë besoj se megjithatë do të gjendet një kompromis dhe qeveria LVV +LDK do të formohet dhe do të fillojë evropianizimin e Kosovës”, potencoi Lepaja për gazetën “Bota sot”.