Dokumentet strategjike programore dhe vetingu temë diskutimi e mbledhjes së kryesisë së BDI-së

Dokumentet strategjike programore në prag të kongresit të BDI-së ishin tema diskutimi të mbledhjes së kryesisë së partisë që dje në selinë e partisë në Tearcë, e kishte thirrur kryetari i saj Ali Ahmeti.

Marketing

Në mbledhje, siç transmeton Alsat-M, u shqyrtuan rezolutat kryesore si integrimi konsensual, drejtësia kolektiveveting, jeta më cilësore për qytetarët, zhvillimi, puna, mirëqenia dhe rinia, në vend të vet. Në këto dokumente, BDI vë theksin te integrimi në një shoqëri qytetarësh dhe komunitetesh tërësisht të barabarta, dhe thekson se vendimmarrja konsensuale, bashkëqeverisja dhe barazia janë parakushte për integrim në të gjitha nivelet nëpërmjet marrjes së përgjegjësisë nga të gjithë përfaqësuesit ligjorë.

Sa i përket vetingut, BDI thekson disa kontrolle, së pari atë të integritetit dhe transparencës të çdo pretendenti për të ushtruar funksion publik, si dhe hetim i të ardhurave, pronës, të kaluarës në karrierë etj. Për jetën cilësore, BDI-ja mbështet ndarjen e politikës nga arsimi, krijimin e mjedisit gjithëpërfshirës për mësim, klasa e shkolla që pranojnë dallimet dhe ku nxënësit mësojnë bashkë, premisa për ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme. Me këtë mund të arrihet një administratë më cilësore, më efikase në shërbim të qytetarit, dhe më shumë qëndrueshmëri për shërbimet e mira. Në sferën e katërt, zhvillim, punë e mirëqenie, BDI synon dyfishim të standardit të jetesës për qytetarët, e matur kjo sipas të ardhurave për kokë banori. Në rezolutën Rinia në vend të vetë, BDI angazhohet për strategji shtetërore për të rinjtë, dhe masa konkrete për përfshirjen e tyre në tregun e punës.

Zëdhënësi i partisë, Bujar Osmani, në një prononcim për mediat tha se debati në mbledhjen e kryesisë është përqendruar te çështja e vetingut. Osmani njëherësh theksoi se BDI është kundër shtyrjes së datës së zgjedhjeve parlamentare të parapara për më 12 prill të vitit të ardhshëm. .