Dy femra, një sheik dhe një “suprem”, kush po udhëheq botën për momentin?

Në politikën botërore, rinia duket se ka një moment të mirë. Në moshën 34 vjeçare, Sanna Marin është bërë “Kryeministri më i ri në detyrë në botë” pasi u zgjodh nga Partia Socialdemokrate e Finlandës për të marrë udhëheqjen, pas dorëheqjes së kryeministrit, Antti Rinne. Por, sipas një shkrimi të Business Insider, përcjell Telegrafi, vitet e fundit ka pasur një rritje të politikanëve në rolet e tyre të udhëheqjes në vitet ’30, duke përfshirë kryeministren 39-vjeçare të Zelandës së Re, Jacina Ardern, kryeministrin 35-vjeçar të Ukrainës, Oleksiy Honcharuk, si dhe presidentin 38-vjeçar të El Salvadorit, Nayib Bukele.

Marketing

Për më shumë, më poshtë ua sjellim të rinjtë që janë ngjitur në lartësitë e pushtetit politik.

ANDORRA: Xavier Espot Zamora, 40 (lindur më 30 tetor 1979)

Në maj të vitit 2019, politikani dhe avokati u emërua kryeministër i Andorrës, një principatë e vogël, e pavarur në malet e Pirenejve midis Francës dhe Spanjës.

Andorra është kombi i gjashtë më i vogël evropian dhe ka një popullsi prej afro 77,000 banorësh.

Para se të merrte këtë detyrë, Zamora ishte ministër i Çështjeve Sociale, Drejtësisë dhe të Brendshme. Ai përfundoi studimet e Drejtësisë në Barcelonë.

KOSTA RIKA: Carlos Alvarado Quesada, 39 (lindur më 14 janar 1980)

Alvarado Quesada fitoi zgjedhjet presidenciale në prill të vitit 2018.

Politikani përparimtar tha që ai vendosi të luftojë për vendin e parë pasi pa demokracitë perëndimore të përballen me lëvizje populiste ose fundamentaliste, përcjell Telegrafi.

Në vitet e tij të rinisë, ai përfundoi masterin në Britani, këndoi në një grup rock të quajtur Dramatika dhe punoi për tre vjet për Procter&Gamble në Panama.

Ai gjithashtu punoi në një qendër të lojërave të fatit dhe botoi katër libra.

Para se të zgjidhej president, ai shërbeu si ministër i Zhvillimit Shoqëror dhe ministër i Punës.

BUTAN: Jigme Khesar Namgyel Wangchuck, 39 (lindur 21 shkurt 1980)

Khesar është “Dragon King” i katërt i Butanit, një komb himalajan i cili kufizohet me Indinë dhe Kinën.

Ai mori pushtetin në moshën 26 vjeç kur babai i tij, Jigme Singye Wangchuck, abdikoi.

Khesar studioi në Shtetet e Bashkuara dhe ndoqi Magdalen College, Oxford, para se të kthehej në Butan.

Ai ka thënë se një nga qëllimet e mbretërimit të tij është forcimi i demokracisë në vendin e tij.

KATAR: Tamim bin Hamad Al Thani, 39 (lindur më 3 qershor 1980)

Sheikh Tamim ishte 33 vjeç kur mori detyrën si Emir i Katarit kur babai i tij u tërhoq.

Vëllai i tij i madh Jasim bin Hamad bin Khalifa Al-Thani ishte fillimisht ai që pritej për të trashëguar fronin, por hoqi dorë nga pretendimi i tij në vitin 2003, duke e lënë rrugën të qartë.

HAITI: Fritz-William Michel, 39 (lindur më 23 korrik 1980)

Michel ka qenë kryeministri në detyrë i Haitit që nga korriku i vitit 2019.

Pak dihej për Michel – i cili punoi në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave – kur u emërua si kryeministër nga presidenti Jovenel Moïse në korrik.

ZEALANDA E RE: Jacinda Ardern, 39 (lindur më 26 korrik 1980)

Ardern, drejtuese e Partisë së Punës në Zelandën e Re, u bë kryeministre në tetor të vitit 2017, përcjell Telegrafi.

Ajo u ngrit jashtëzakonisht shpejt në radhët e politikës së Zelandës së Re, duke kapur zyrën më të lartë të vendit më pak se një vit pas hyrjes në parlament.

Ardern u zgjodh deputete për Mount Albert, një periferi e Auckland, në një zgjedhje plotësuese në shkurt të vitit 2017.

Ajo u zgjodh drejtuese e “Labour” në gusht, dhe hyri në një fushatë zgjedhore të përgjithshme menjëherë pas kësaj.

Që nga marrja e detyrës, ajo është përshëndetur për një zë të hapur kundër seksizmit dhe racizmit, ndaloi me shpejtësi pushkët gjysmë-automatike dhe sulmuese të stilit ushtarak pas masakrës në Christchurch.

EL SALVADOR: Nayib Bukele, 38 (lindur 24 korrik 1981)

Nayib Bukele, një ish-biznesmen dhe kryetar i San Salvador, fitoi me lehtësi zgjedhjet e El Savador në shkurt të vitit 2019 dhe u betua si president në qershor.

Fitorja për partinë e tij GANA (Aleanca e Madhe për Unitet Kombëtar) i dha fund mbizotërimit të partive FMLN dhe ARENA.

Bukele, i cili ka 1.2 milion ndjekës në Twitter, është një përdorues i zjarrtë i mediave sociale.

KOREJA VERIORE: Kim Jong Un, 35 vjeç (lindur më 8 janar 1983)

Udhëheqësi Suprem i Koresë së Veriut ka qenë pjesë e familjes në pushtet dhe mori kontrollin mbi vendin në vitin 2011, në moshën 30 vjeç.

Një tifoz i basketbollit i cili ishte shkolluar në një shkollë private në Zvicër, Kim ka pasur një jetë ndryshe nga çdo lider tjetër botëror, përcjell Telegrafi.

Ambiciet e tij bërthamore dhe retorika e tij tregojnë se ai zë një vend në skenën botërore, plotësisht në përpjesëtim me fuqinë e kombit të tij.

UKRAINË: Oleksiy Honcharuk, 35 vjeç (lindur më 7 korrik 1984)

Oleksiy Honcharuk kishte vetëm tre muaj përvojë në qeveri kur ai u bë kryeministri më i ri i vendit ndonjëherë, në gusht të vitit 2019.

Një avokat, Honcharuk u emërua nënkryetar i zyrës së Presidentit, Volodymyr Zelensky në maj.

Para kësaj, ai drejtoi një organizatë joqeveritare që përqendrohej në reforma dhe ishte këshilltar për Ministrinë e Ekologjisë.

Vetë Zelensky është vetëm 41 vjeç.

FINLANDA: Sanna Marin, 34 vjeç (lindur më 16 nëntor 1985)

Sanna Marin, finlandeze, 34 vjeçe, është betuar si kryeministre e vendit – duke u bërë më e reja në botë.

Marin, ish-ministre e Transportit dhe Komunikimeve në Finlandë, u zgjodh për të marrë pushtetin nga Partia Social Demokratike pasi ish-kryeministri Antti Rinne dha dorëheqjen.

Ajo gjithashtu do të bëjë histori si “kryeministri më i ri i vendit ndonjëherë”. Ajo do të jetë kryeministrja e tretë femër e Finlandës.