40.000 administratorë së bashku me aktivistët e Nismës qytetare “Mos u bëj mbeturinë”, të shtunën do të pastrojnë në 20 lokacione në Shkup dhe rrethinë. Për zbatimin e suksesshëm të këtij aksioni do angazhohen jo vetëm administratorët, por edhe drejtorët, ministrat dhe vetë kreu i ekzekutivit.
“Qëllimi kryesor, përveç asaj që do të pastrojmë, është ngritja e vetëdijes së qytetarëve. Domethënë ne të shtunën do të pastrojmë dhe shpresoj të kemi një aksion të suksesshëm, por ambienti duhet të mbetet kështu, edhe atë vetëm nëse ne kemi më shumë kujdes ndaj tij dhe minimumi që mund të bëjmë është të mos hedhim mbeturina.”,- tha ministri i Administratës dhe Shoqërisë Informatike, Damjan Mançevski.
Mirëpo në luftën me mbeturinat nuk mjaftojnë vetëm aksionet e pastrimit. Nevojitet edhe sanksione për të gjithë ata që hedhin mbeturina.
“Duhet të punohet në edukimin e fëmijëve dhe të rriturit të dënohen. Sepse mendoj se është vonë që ata të edukohen, mendoj që dënimet do të kryejnë punë.”,- theksoi Irena Ristiq nga Nisma qytetare “Mos u bëj mbeturinë”.
Aksioni për pastrim do të fillojë në orën 12 dhe në këtë mënyrë do të kompensohet dita e lirë e vitit, 2 janari.