Për çfarë modeli zgjedhor mund të përcaktohet Republika e Maqedonisë së Veriut në zgjedhjet e parakohshme parlamentare!
Nga prof.dr. Subhi JAKUPI
Sistemi proporcional me një njësi zgjedhore është model që mund të përfaqësohen më shumë parti politike në pushtetin ligjvënës, por nga ana tjetër mund të jetë më i dëmshëm për formimin e koalicionit qeveritar dhe të qëndrueshëm. Njëkohësisht ky model zgjedhor me një njësi zgjedhore favorizon përfaqësuesit nga kryeqyteti dhe qytetet e mëdha të vendit, dukë lënë pas përfaqësues zonash dhe atyre lokal. Prej shteteve të Unionit Europian prej 28 shteteve dhe 5 shteteve kandidatë, ky model zgjedhor me një njësi zgjedhore zbatohet vetëm në Holandë, Malin e Zi, Serbi dhe Sllovaki.
Çështje tjetër si model zgjedhor që mund të shkaktojë problem, paraqet pragu zgjedhor që në praktikat zgjedhore është prej 3% deri më 10%, ku për të fituar mandate duhet të kalohet në përqindje e caktuar me aktet ligjore çdo parti politike ose kandidatë të pavarur që janë pjesë e garës zgjedhore. Sa për ilustrim mund të potencojmë se Holanda ka prag zgjedhor më të ulët prej 0,67%, ndërsa Turqia dallohet si shtet me prag zgjedhor më të lartë prej 10%, nga kjo mund të konstatohet se pragu i lartë zgjedhor dëmton partitë e vogla që mund të arrijnë të kalojnë në fitim të mandateve.
Sa është i përshtatshëm modeli zgjedhor me një njësi zgjedhore ne Republikën e Maqedonisë së Veriut për shqiptarët është për analizë të thuktë dhe rezultatet zgjedhore nga zgjedhjet e kaluara duke i përkthyer në mandate me gjashtë njësi dhe me një njësi zgjedhore janë siç vijon: në vitin 2002 partitë shqiptare fitojnë një mandat – deputeti më shumë edhe atë Partia Demokratike Kombëtare. Në vitin 2006 partitë shqiptare humbin 3 mandate – deputetë edhe atë një Koalicioni (Bashkimi Demokratik për Integrim-Partia për Prosperitet Demokratik) dhe dy mandate – deputetë Partia Demokratike Shqiptare. Në vitin 2008 partitë shqiptare humbin 3 manate – deputetë edhe atë dy Bashkimi Demokratik për Integrim dhe një mandatë Partia Demokratike Shqiptare. Në vitin 2011 partitë shqiptare humbin një mandatë – deputetë dhe ka ç`vendosje të mandateve nga 15 sa ka fituar BDI – ngelë me 12 mandate, PDSH nga 8 sa ka fituar – ngelë në 7 mandate, RDK nga 2 mandate – kalon në 3 mandate dhe Demokracia e Re nga 0 mandate – fiton 2 mandate. Në vitin 2014 partitë shqiptare humbin një mandatë – deputetë, BDI 17 mandate – zbret në 15, ndërsa RDK nga 1 – kalon në 2 mandate. Në vitin 2016 partitë shqiptare fitojnë një mandat – deputeti më shumë edhe atë: BDI prej 10 mandateve të fituara – zbret në 9 mandate, Lëvizja BESA prej 5 mandateve të fituara – kalon në 6 mandate dhe PDSH prej 2 mandateve të fituara – kalon në 3 mandate.
Nga analiza e lartshënuar del se sistemi proporcional me gjashtë njësi zgjedhore duhet të ngelë në zbatim të mëtejmë por të bëhet ç`vendosja e votuesve në barabarësi të plotë të njësive zgjedhore me votues në përqindjen e lejuar sipas legjislaturës zgjedhore aktuale prej minus 5% deri në plus 5%, meqë sipas gjendjes aktuale të votuesve kemi një disbalansë bukur të theksuar edhe atë: NJZ 1 = +1,73%, NJZ 2 = +5,26%, NJZ 3 = -6,92%, NJZ 4 = -5,85%, NJZ 5 = -2,04% dhe NJZ 6 = +7,83%.
ZBATIM TË VOTIMIT ME LISTA TË MBYLLURA (BLOQUEE) – APO VOTIM ME LISTA TË HAPURA
Shtetet që zbatojnë sistemin proporcional me lista të mbyllura (bloquee) i tërë pushteti koncentrohet tek Lideri i partisë dhe anëtarët e kryesisë me ndikim, partia është ajo që bënë radhitjen e kandidatëve të mundshëm për tu zgjedhur në listë, ndërsa zgjedhësit e kanë të pamundshme që të votojnë për kandidatë të preferuar. Në vendet me demokraci të zhvilluar votimi me lista të mbyllura mund të ulë daljen e votuesve për arsye që nuk mund të përcaktohet për ndonjë kandidatë të preferuar, koncentrimi apo ndikimi i madh i bërthamës partiake në vendimmarrje për radhitjen e listës së kandidatëve ul nivelin e demokracisë brenda partisë. Listat e mbyllura jo për çdo gjë janë të disfavorshme kur vendi dhe partia ka nevojë për përfaqësues që janë ekspertë nga lëmitë e ndryshme por nuk gëzojnë popullaritet në elektorat të njëjtët që mund të jenë konkurrentë, shmangë ndikimet klanore dhe ato lokaliste etj. Nga vendet që janë anëtarë në Unionin Europian sistemi proporcional me lista të mbyllura aplikohet në Portugali, Spanjë dhe Itali, ndërsa 2/3 e vendeve tjera aplikojnë sistemin proporcional me lista të hapura.
Listat e hapura mundësojnë që zgjedhësit të përcaktohen përveç partisë edhe për kandidatët e preferuar brenda asaj partie, por në disa vende zgjedhësit mund të përcaktohen për partinë dhe mundësi për kandidatë të liste tjetër garuese. Mundëson garë ndërpartiake të kandidatëve, por edhe mundësi të fragmentimit të kandidatëve ndërpartiak. Meqë potencuam që vendet me demokraci të zhvilluar përcaktohen në votim me lista të hapura, atëherë detyrohemi të mendojmë meqë jemi në kohë që vendi jonë të përcaktohet në votim me lista të hapura pasi që sistemi proporcional me lista të mbyllura që është në zbatim prej vitit 2002 statusi i vendit plotëson standardet zgjedhore që listat e hapura në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që duhet mbajtur në prill të vitit 2020 mund të avancojnë frymën demokratike zgjedhore dhe njëkohësisht të rrisin cilësinë e të qenurit deputet me përfaqësim të denjë të votuesve duke u shmangur nga të qenurit vetëm deputet i dëgjueshëm partiak.
PËRSHKRIMI I NJËSIVE ZGJEDHORE NË BAZË TË LEGJISLATURËS ZGJEDHORE PREJ VITIT 2002-2019 NË RMV
Ligji i njësive zgjedhore për zgjedhjen e deputeteve në Kuvendin e Republikën e Maqedonisë së Veriut i miratuar më 26.06.2002 shpallur në Gazetën zyrtare nr.43/2002, RMV është i vendosur me gjashtë (6) njësi zgjedhore ku në njësitë zgjedhore numri i zgjedhësve mund të ketë shmangie më së tepërmi në minus 3% deri në plus 3% në përbërje të numrit mesatar të zgjedhësve në njësitë zgjedhore. Përbërja e njësive zgjedhore me vendvotime dhe komunat të përcaktuara janë të potencuara në nenin 3 të ligjit të lartpërmendur dhe nga çdo njësi zgjedhore është përcaktuar që të dalin nga 20 mandate – deputetë.
Më 31.03.2006 është miratuar Kodi zgjedhor dhe i shpallur në Gazetën zyrtare nr.40/2006, që i njëjti rregullon përveç tjerave edhe njësitë zgjedhore që ngelin të njëjta në numër dhe përcaktimi i numrit të vendvotimeve dhe komunave por me emërtime sipas Ligjit për ndarjen territoriale të njësi për qeverisje lokale (komunave) të vitit 2004.
Më 30.10.2008 bëhet ndryshimi dhe plotësimi i Kodit zgjedhor i shpallur në Gazetën zyrtare nr.136/2008, ku përveç tjerave rritë numrin e njësive zgjedhore prej 6 në 9 njësi zgjedhore, ku njësitë zgjedhore numër 7,8 dhe 9 janë njësi zgjedhore për të votuar votuesit që jetojnë jashtë vendit (diaspora) e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe njëkohësisht bëhet edhe ndryshimi ku në 6 njësitë zgjedhore të vendit numri i zgjedhësve mund të ketë shmangie më së tepërmi në minus 5% deri në plus 5% në përbërje të numrit mesatar të zgjedhësve në njësitë zgjedhore.
Më 13.04.2011 bëhet ndryshimi dhe plotësimi i Kodit zgjedhor dhe i shpallur në Gazetën zyrtare nr. 51/2011, në nenin 175 alineja 1 në pjesën e Njësisë zgjedhore 5 kalojnë vendvotimet me numër prej 0549 deri 0554 të Komunës Dibër dhe vendvotimet me numër prej 0557 deri 0571 të Komunës Qendër Zhupë nga njësia zgjedhore 6.
Më 13.11.2012 bëhet ndryshimi dhe plotësimi i Kodit zgjedhor dhe i shpallur në Gazetën zyrtare nr.142/2012, në nenin 175 alineja 1 në pjesën e Njësisë zgjedhore 5 dhe 6 Komunat Vranjeshnjicë, Drugovë, Zajas dhe Osllome marrin emërtimin e ri Komuna Kërçovë pa pasur ndryshime në numër të vendvotime por vetëm adoptim të emërtimit sipas ndryshimit të Ligjit për ndarjen territoriale të njësi për qeverisje lokale (komunave) të vitit 2008 që bëhet bashkimi i komunave në fjalë në një komunë edhe atë në Komuna Kërçovë.
Më 24.01.2014 bëhet ndryshimi dhe plotësimi i Kodit zgjedhor dhe i shpallur në Gazetën zyrtare nr.14/2014, në nenin 175 alinej 1 në pjesën e të gjithave njësive zgjedhore bëhet një harmonizim i balancimit të numrit të votuesve ku vlen të përmendët që pjesë e vendvotimeve të Komunës Dibër nga njësia zgjedhore 6 kalojnë në njësinë zgjedhore 5.
Më 10.11.2015 bëhet ndryshimi dhe plotësimi i Kodit zgjedhor dhe i shpallur në Gazetën zyrtare nr.196/2015, në nenin 175 alineja 1 prej 9 njësive zgjedhore ngelin 7 njësi zgjedhore (bashkim i njësisë zgjedhore 7,8 dhe 9 në njësi zgjedhore 7 për të votuar votuesit që jetojnë jashtë vendit – diaspora e Republikës së Maqedonisë së Veriut), ku organizimi i zgjedhjeve bëhet me 7 njësi zgjedhore 1,2,3,4,5 dhe 6 në vend dhe nj.z. 7 diasporë dhe me mundësi të fitimit deri më 3 mandate – deputetë, me kusht që lista e kandidatëve të fitoje më së paku vota që fiton mandatë deputeti në vend – mbi 6500 vota.
Por si është gjendja a balancimit duke marrë të dhënat përfundimisht të muajit Tetor 2019 të njësive zgjedhore ku në 6 njësitë zgjedhore të vendit numri i zgjedhësve mund të ketë shmangie më së tepërmi në minus 5% deri në plus 5% në përbërje të numrit mesatar të zgjedhësve në njësitë zgjedhore, ku nga gjithsejtë 6 njësi zgjedhore 4 nuk janë në kornizën e limitit ligjor të nenit 4 paragrafi 7 i Kodit Zgjedhor dhe gjendja është siç vijon: NJZ 1 = +1,73%, NJZ 2 = +5,26%, NJZ 3 = -6,92%, NJZ 4 = -5,85%, NJZ 5 = -2,04% dhe NJZ 6 = +7,83%. Nga kjo mund të konkludojmë që institucionet kompetente siç është Ministria e Drejtësisë të përpilojë propozim-ndryshimet e Kodit zgjedhorë dhe teksti i përpiluar të kalojë në procedurë që Qeveria e RMV ti propozojë tekstin e njëjtë në miratim Kuvendit të RMV për të pasur legjislaturë zgjedhore të pakontestueshme. (koha.mk)