Telashet për pushtetarët e ko rruptuar nuk kanë të sosur. Teksa SPAK javën që vjen merr jetë dhe do të ketë në fokus zyrtarë të lartë, në ndihmë këtij institucioni i ka ardhur edhe Zvicra. Një ditë më parë u bë e ditur se ky shet ka hequr anonimatin për llogaritë bankare për vendin tonë. Duke filluar nga viti 2011, bankat e Zvicrës janë të detyruara të japin informacione për çdo kërkesë të autoriteteve shqiptare. Dihet botërisht se Zvicra është ndër vendet më të preferuara të pushtetarëve për të fshehur paratë e paligjshme, pasi deri më tani ka qenë në fuqi një ligj që detyronte bankat të mbanin sekret të dhënat. Por tani që Parlamenti vendosi të bëjë ndryshime, pritet që të fundosen me dhjetra politikanë në vend. Një rol në këtë mes do të ketë padyshim dhe Struktura e Posaçme Antikorrupsion. Sipas raporteve ndërkombëtare, mbi 1,3 miliardë dollarë janë fshehur në bankat e huaja dhe për SPAK sfida më e madhe do jetë gjetja e tyre. Pak kohë më parë në faqen zyrtare në internet të EURALIUS, është postuar një dokument, në të cilin flitet mbi shembullin kroat që do ndiqet nga Shqipëria. Gjatë periudhave të ndryshme, prokurorë dhe gjyqtarë të zyrës kroate të luftës ndaj korrupsionit, USKOK kanë qenë në Tiranë dhe kanë zhvilluar një sërë trajnimesh. Në dokument jepen detajet e këtyre trajnimeve dhe deklarata që kanë dhënë ekspertët e USKOK. Interesant është fakti se ata i kanë kushtuar rëndësi shumë të madhe pastrimit të parave dhe fshehjes së tyre jashtë vendit. Për këtë arsye është theksuar dhe se me ngritjen e SPKA, do ketë asistencë kroate në këtë aspekt. Por si do zbulohen paratë e fshehura? SPAK pritet që të ndjekë shembullin e USKOK dhe sipas dokumentit, do jenë rreth 11 agjenci të ndryshme botërore me të cilat do punohet. Në krye qëndrojnë Interpol dhe FBI. Prokurorët e SPAK do këmbejnë informacione me këto dy agjenci. Po ashtu pritet që të ketë marrëveshje bashkëpunimi me disa agjenci të tjera si: Eurojust, Europol, FATF, Rrjeti Gjyqësor Evropian, DEA, si dhe me agjencitë ligjzbatuese si Carin, Aro, Egmont Group. Sapo të ngrihet SPAK, me këto institucione pritet që të nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi./Sot.al