Ademi: UT, forca lëvizëse e përparimit të përgjithshëm shoqëror

Universiteti i Tetovës gjatë këtyre 25 vite të funksionimit si institucion i arsimit të lartë në gjuhën shqipe ka përmbushur misionin për të cilin është themeluar dhe predispozitat për t’u ngjitur në njërën nga shtyllat kryesore të arsimit të lartë në vend dhe në njërën nga forcat lëvizëse të përparimit të përgjithshëm shoqëroro-ekonomik. Kështu ka deklaruar ministri i Arsimit dhe Shkencës, dr. Arbër Ademi në fjalën e rastit gjatë Akademisë solemne me rastin e 25 vjetorit te themelimit te UT-së.

Marketing

Ky institucion, sikurse plotësoi më tej ministri, nxori kuadro cilësore në të gjitha sfera e fushëveprimit shoqëror dhe kontribuon jo vetëm në zhvillimin e arsimimit por edhe në zhvillimin e veprimtarisë kërkimore – shkencore, zhvillimin e inovacioneve, sipërmarrësisë e kështu me radhë.
“Sot, me krenari mund të themi se vizioni i nismëtarëve për themelimin, e kontribuesve për legalizimin e këtij tempulli të dijes është realizuar, ndërsa misioni i këtij Universiteti është duke u zbatuar me intensitet të lartë. Ky është proces që nuk përfundon kurrë, prandaj besoj fort se do të jetë kështu dhe uroj që të kemi arritje edhe më të mëdha se ato që janë shënuar deri më tani”, u shpreh ministri Ademi, i cili është edhe vetë kuadër i UT-së, fillimisht si student, e më pas edhe si mësimdhënës. E di fort mirë përkushtimin e punonjësve të këtij Universiteti ndaj studentëve, të cilët angazhohen maksimalisht për t’ua përmbushur studentëve fondin e njohurive të tyre me informacione të dobishme, duke u ndihmuar të zhvillojnë shkathtësitë dhe aftësitë në praktikë – dhe për t’u shërbyer në realizimin e qëllimeve të tyre profesionale dhe personale, ka nënvizuar më tej ai për shtuar se sfidat kanë qenë jashtëzakonisht të vështira nga aspekti i sigurimit të kushteve të nevojshme për punë, literaturës së nevojshme dhe të ngjashme. Por, ama jam i sigurt se ata janë përpjekur që këto vështirësi të jenë të padukshme dhe të mos kenë ndikim në cilësinë e kuadrove që kanë vendosur këtu, në këtë Universitet, t’i përvetësojnë njohuritë dhe dituritë e tyre akademike.
Sot, sipas ministrit të Arsimit dhe Shkencës, realizimi i procesit arsimor është vërtetë shumë më i lehtë se para 20 viteve.

“Mbështetja financiare nga buxheti i shtetit është rritur shumëfish në krahasim me të kaluarën, por kemi edhe mbështetjen e komunitetit të biznesit dhe segmenteve tjera të shoqërisë. Gjithashtu, edhe vetë universiteti ka zhvilluar një rrjet të mirë të bashkëpunimit me institucionet dhe organizatat tjera, që krijohen mundësi shumë më të mëdha që ndoshta vendeve tjera u mungojnë”, pohoi ministri Ademi.

Në kontekst të kësaj, ministri Ademi, tha se studentët e këtij tempulli arsimor, sot kanë laboratori bashkëkohore, amfiteatro, leximore dhe literaturën e nevojshme e, çka është më e rëndësishmja, dijet e tyre i marrin nga pedagogët dhe shkencëtarët më të mirë jo vetëm nga vendi, por edhe nga jashtë. Për rrjedhojë, studentët e këtij universiteti marrin pjesë në projekte rajonale dhe ndërkombëtare studimore si dhe nëpër programe të ndryshme kërkimore shkencore.