BDI prezanton pesë prioritet programore

Integrimi konsensual, vetingu, jetesë cilësore, zhvillim dhe punë, dhe rinia e para, janë pesë prioritetet e reja programove të integristëve. Ideja për kërkimin e prioriteteve të reja vjen pas konstatimit se dy shtyllat e saj programore, siç ishte zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe integrimi euratlantik, po ezaurohen.

Marketing

“Një togfjalësh i ri, të cilin do të përpiqemi që ta promovojmë në narrativin politik në Maqedoni, integrimi konsensual ka të bëjë me kombinimin e dy synimeve tona absolute si shqiptarë, por edhe si qytetarë të RMV-së, e para ka të bëjë me integrimin e plotë në NATO dhe BE si dhe konsensualitetin si politikë.”,- tha Artan Grubi nga BDI.

Profesori universitar, Rizavn Sulejmani, ish ministër i pushtetit lokal nga radhët e BDI-së,rekomandon shtrirjen e marrjes së vendimeve me konsensus ndëretnik, përkatësisht me shumicë të dyfishtë edhe në ekzekutiv, presidencë dhe gjyqësi.

“Për shtetet multietnike, detyrimisht, është e nevojshme pajtueshmëria, gjegjësisht, konsensualiteti që ne e kemi aprovuar si model, tash edhe si praktikë, por edhe institucionalisht në pjesën e legjislativit, por mendoj se kjo duhet të vazhdohet më andej.”,- theksoi profesori universitar, Rizvan Sulejmani.

Çështja e vetingut, apo propozim rezoluta e paraparë për miratim në kongresin e katërt të BDI-së, sipas profesoreshës, Arta Zendeli, është për t’u përshëndetur. Por, sipas saj, ky proces duhet të kryhet me ndihmë ndërkombëtare, duke marrë shembull procesin që po zhvillohet në Shqipëri.

“Procesi i vetingut po, por me ndihmën e ndërkombëtarëve, me qëllim të eliminimit fillimisht të varësisë apo ndikimeve të brendshme nga gjykatësit më të lartë te gjykatësit më të ulët, ose nga ata më me përvojë te ata më të rinj, duhet ndërmarrë një orë e më parë, për shkak se gjyqësori kështu si e kemi nuk u shërben qytetarëve dhe qytetarët nuk kanë besim në gjyqësor.”,- u shpreh profesori universitar, Arta Bilalli Zendeli.

Ndërkaq, analisti, Alber Musliu, i rekomandoi BDI-së dhe partive tjera shqiptare që të marrin për shkas opinionin e Komisionit të Venedikut rreth Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, për të ndryshuar kushtetutën ku shqiptarët cilësohen se popullatë mbi 20%.

“Mua më intereson pse nuk promovohet një prej rekomandimeve të Komisionit të Venedikut, që termini “gjuhë të cilën e flasin 20% e popullsisë” të ndryshohet sepse është shkak dhe justifikim i mirë që të fillohet edhe me ndryshimet kushtetuese.”,- tha analisti, Albert Musliu.

BDI e ka hartuar programin e saj për kongresin e radhës në konsultime me organizatat ndërkombëtare IRI dhe NDI, të cilat, sipas Grubit, i kanë siguruar edhe konsultantë ndërkombëtarë.