Prokurori special i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sylë Hoxha, ka kërkuar arrest shtëpiak për të tre të dyshuar, që janë gjendur në aktakuzën për rastin “Ivanoviq”, Dragisha Markoviq, Silvana Arsoviq dhe Zharko Jovanoviq, të cilët mbrohen nga liria.
Prokurori special i Prokurorisë Speciale të Kosovës ka propozuar që ndaj tre të akuzuarve për “Përfshirje në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq”, Dragisha Markoviq, Silvana Arsoviq dhe Zharko Jovanoviq të merret masa e arrestit shtëpiak. Sipas avokatit Dejan Vasiq, për propozimin e prokurorit Hoxha do të vendosë gjykata në séancën e 30 dhjetorit.
“Tre personat për të cilët është kërkuar masa e arrestit shtëpiak janë në liri, por ne mendojmë se propozimi për burg shtëpiak nuk është i nevojshëm, sepse që të tre ata me asnjë punë nuk kanë treguar se kanë për qëllim pengimin e procesit gjyqësor ose të ikin. Përkufizimi i lëvizjes së lirë të tyre do të ishte krejtësisht i panevojshëm dhe mendoj se gjykata nuk do ta pranojë këtë, kur edhe propozimi i prokurorit special do të refuzohet”, ka thënë Vasiqi, duke shtuar se po të donin të iknin e të mos gjykohen ata do të mundë ta bënin deri më tani, shkruan sot “Zëri”.
Gjykata Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë më 2 dhjetor kundër 6 personave: Nedelko Spasojeviq, Marko Roshiq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq, të cilët ngarkohen për “Përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviqit”.
Spasojeviqi dhe Roshiqi ndodhen në paraburgim nga nëntori i vitit të kaluar, ndërsa Basara nga tetori i këtij viti, derisa tre të tjerët mbrohen nga liria.
Aktakuza i ngarkon ata për “Pjesëmarrje në vepra kriminale ose organizim të grupeve kriminale”, “Keqpërdorim të detyrës zyrtare ose të autorizimeve”, “Ndihmë në kryerjen e veprës penale ‘Vrasje e rëndë’, posedim të paautorizuar dhe kontroll të armëve”, “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”, “Keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje dhe manipulim të provave në bashkëkryerje”.
Mahmut Halimi, avokat i Roshiqit, i tha “Kossev”-it se seancën e parë gjyqësore, në të cilën do të lexohet aktakuza, është caktuar për 30 dhjetor. Sipas tij, Prokuroria në aktakuzë nuk ka ofruar dëshmi të reja për përfshirjen e Roshiqit në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
“Në bazë të dy dyshimeve, të cilat në asnjë mënyrë nuk mund të ndërlidhen me pjesëmarrjen eventuale të tij në kryerjen e kësaj vepre që i vihet në barrë, deklarata e vëllait tani të të ndjerit dhe një copëz letër që supozohet se është gjetur pas një kohe në portofolin e Ivanoviqit janë vetëm këto dy dëshmi, që e ngarkojnë klientin tim, asnjë dëshmi tjetër që do t’i rriste dyshimet nuk ka”, ka sqaruar Halimi.
Ndonëse Halimi thotë se Roshiqi është i dyshuar vetëm për këto dy vepra, ai ka shtuar se në preambulën e aktakuzës në barrë i vihen edhe “Sulmet, lëndimet e rënda trupore dhe djegia e veturës”, por siç ka thënë Halimi, “në dispozitivin e aktakuzës nuk ka asgjë përveç ndihmës në vrasjen e Oliver Ivanoviqit”.
Siç ka shpjeguar ai, në seancën e parë gjyqësore më 30 dhjetor do të lexohet aktakuza dhe gjykata do të vendosë për propozimin e prokurorit Hoxha për arrest shtëpiak të të tre të akuzuarve në rastin “Ivanoviq” dhe se gjykata do të japë afat prej 30 ditësh për kundërshtimin e aktakuzës, pas së cilës mund ta thërrasë seancën e dytë ose që në bazë të kundërshtimit do të vendosë nëse aktakuza do të shkojë në shoshitje kryesore ose jo.
Në anën tjetër nipi i Oliver Ivanoviqit, Aleksandër Ivanoviq (në disa medie thuhet se është vëllai i Oliver Ivanoviqit), ka deklaruar të mërkurën se në aktakuzë nuk ka asnjë emër të kryerësve e as të organizatorëve të vrasjes së Ivanoviqit.
“Nga mediet kam marrë vesh për aktakuzën. Do ta kemi rastin ta shohim se me çfarë provash posedon Prokuroria Special e Kosovës? Në mesin e këtyre aktakuzave nuk janë ata që kanë marrë pjesë në vrasje ose që kanë organizuar vrasjen. Familja e Oliver Ivanoviqit ende nuk ka përgjigje në pyetjen se kush e vrau Oliverin, me urdhër të kujt dhe se cila është prapavija politike e kësaj vrasjeje”, ka deklaruar ai.
Ai ka pyetur se si është e mundur që pavarësisht shumë kamerave të sigurisë, të cilat i kontrollojnë serbët, asnjëherë nuk është paraqitur asnjë incizim, i cili do të tregonte për lëvizjet e Oliver Ivanoviqit, por edhe të njerëzve të cilët e kanë përgatitur profesionalisht dhe kanë kryer vrasjen e Ivanoviqit.