Qyteti i Shkupit apelon qytetarët: Paraqitni zjarret në ambient të hapur në 193

Si pjesë e masave për uljen e ndotjes së ajrit, Qyteti i Shkupit për të tretin vit me radhë e vazhdon fushatën për paraqitjen e zjarreve që ndizen në ambient të hapur në linjën telefonike 193.

Marketing

Nëpërmjet Inspektoratit dhe Njësitit të Zjarrfikësve, në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, Ministrinë e Brendshme dhe Kryqin e Kuq, Qyteti i Shkupit po ashtu organizon ekipe të përziera që punojnë 24 orë për çdo ditë, në luftë kundër zjarreve në ambient të hapur.

“Siç e dini, ndezja e zjarreve të hapura është e ndaluar me ligj dhe zakonisht vjen si rrjedhojë e sjelljes së pahijshme të disa qytetarëve. Por, nga ana tjetër për disa qytetarë kjo është mënyra e vetme për ngrohje, sidomos për qytetarët të cilët nuk kanë vendbanim adekuat. Problemi më i madh është se në zjarret e hapura më së tepërmi digjen goma, plastikë, digjen drunj me kualitet të ulët dhe gjëra të ngjashme. Këto gjëra ndikojnë direkt në ndotjen e ajrit.”,- tha zëdhënësi i Qytetit të Shkupit, Valon Salihu.

Duke apeluar te qytetarët që rastet e ndezjes së zjarreve t’i paraqesin në numrin e telefonit 193, zëdhënësi i Qytetit të Shkupit tha se vetëdija e qytetarëve për të kontribuuar në uljen e ndotjes së ajrit po rritet, pasi këtë vit janë paraqitur 273 raste, ndërsa në vitin 2018 kishte 251 raste të paraqitura.