Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë se Bashkimi Evropian ka treguar një paaftësi për të zgjidhur çështjen e Kosovës.
Lavrov për Telegrafin Serb ka theksuar se dialogu Beograd-Prishtinë në Bruksel ka vdekur dhe asnjë përparim nuk është parë për një kohë të gjatë.
“Aktualisht, nga këndvështrimi ynë, nuk ka asnjë parakusht për të shtuar një dinamikë të re në rregullimin e çështjes së Kosovës. Kaosi pas zgjedhjeve dhe lufta për pushtet vazhdojnë në Kosovë. Potenciali ndërmjetësues i BE-së është zhvlerësuar në thelb”, thotë Lavrov.
I pyetur se cila është pengesa kryesore, ai përgjigjet se, me sa duket, “BE-ja nuk është ende në gjendje të ushtrojë ndikim mbi shqiptarët e Kosovës në mënyrë që ata të përdorin një qasje të arsyeshme konstruktive për negociatat me Serbinë”.
“Për shembull, që nga viti 2013, Prishtina ka qenë duke sabotuar përmbushjen e angazhimeve të saj në lidhje me krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe të Kosovës. Për tërë vitin, doganat diskriminuese anti-serbe për mallrat serbe të prezantuara nga autoritetet e Kosovës nuk janë shfuqizuar”, tha Lavrov.
Lidhur me atë se si e sheh Moska zgjidhjen për Kosovën, kreu i diplomacisë ruse thotë se Rusia është e përkushtuar të arrijë një zgjidhje të zbatueshme dhe të pranueshme reciprokisht për palët, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, transmeton Klan Kosova.
Ai shtoi se zgjidhja duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe duhet të miratohet nga Këshilli i Sigurimit sepse sipas tij “ka të bëjë me sigurimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”.
Kryediplomati rus tha se vendi i tij do të pajtohej vetëm me një vendim që do të kënaqte vetë serbët.