Regjistri Qendror i Maqedonisë së Veriut gjatë janarit të vitit të ardhshëm do të lëshojë në përdorim ueb faqen e regjistrit të ri të pronarëve të vërtetë të kompanive. Këtë gjë e bëri të ditur drejtoresha e këtij institucioni, Marija Boshkovska – Jankovski, në takimin me gazetarët.
Versioni demo i regjistrit pritet të jetë gati deri në mes të muajit të ardhshëm, ndërsa pas startimit të tij zyrtar në shkurt, fillojnë edhe afatet ligjore tremujore në të cilën kompanitë do të duhet t’i plotësojnë të dhënat e tyre të nevojshme.
Regjistri i ri i pronarëve të vërtetë do të tregojë të dhëna të sakta për pronësinë e vërtetë të kompanive, regjistër ky i cili do të vërtetojë nivelin e pronësisë në kompanitë e regjistruara.
Ligji për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit, i cili parashikon pikërisht themelim i regjistrit të pronarëve të vërtetë është në përputhje me direktivat e BE-së.
Sipas të dhënave të Regjistrit Qendror, gjatë vitit 2018 janë hapur mbi 6 mijë subjekte të reja, që është për gjysmë më shumë krahasuar më vitin 2017.